Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pranuar të mërkurën verifikimin për 1,081 kandidatët për deputetë nga të gjitha subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që ishte një nga gjashtë institucionet prej nga u kërkua ndihmë, ka vlerësuar se 47 kandidatë nuk i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e Kuvendit duke qenë se ndaj tyre janë marrë aktgjykime dënuese të formës së prerë gjatë tri vjetëve të fundit.
Nga Vetëvendosje janë pesë kandidatë të dënuar, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi Murtezi e Bajram Mavriqi.
Nga PDK është vetëm një kandidat i dënuar, nga LDK-ja dy, nga AAK-ja katër dhe nga Nisma Socialdemokrate plot 12.
23 të tjerët vijnë nga radhët e partive politike me shumicë joshqiptare.
Deri sa në subjektet tjera kanë heshtur gjatë ditës për këtë çështje në Vetëvendosje thonë se një vendim i tillë është marrë për interesa të dikujt tjetër dhe në asnjë mënyrë nuk do ta heqin Albin Kurtin nga lista me 110 emrat që synojnë Kuvendin.