Home LAJME Krerët e shtetit urojnë Ukrainën për Ditën e Pavarësisë, Kurti përmend takimin me Zelenskyn

Krerët e shtetit urojnë Ukrainën për Ditën e Pavarësisë, Kurti përmend takimin me Zelenskyn

0
Krerët e shtetit urojnë Ukrainën për Ditën e Pavarësisë, Kurti përmend takimin me Zelenskyn
Krerët shtetërorë të Kosovës kanë uruar Ukrainën për Ditën e Pavarësisë. Ukraina sot feston përvjetorin e 32-të të Pavarësisë.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një urimi në platformën “X”, ka thënë se “shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer”.

“Nga një tokë e forcës, demokracisë dhe shpresës në tjetrën, i urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës – Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

E në ambientet e Ballkonit të Hapur të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla, mirëpritën qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarë ukrainas në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë.

Kurti në adresimin e tij tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë. Ai përmendi edhe Deklaratën e Përbashkët të G7-s për mbështetjen e Ukrainës, e të cilës iu bashkua Kosova.

“Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7-s për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha Kurti.

Ministrja e Jashtme, Gërvalla, tha se nuk ka “kompromis për pavarësi, sovranitet dhe dinjitet”. Ajo shtoi se është e bindur se Ukraina do ta fitojë luftën.

Kurti po ashtu përmendi takimin që pati të hënën në Athinë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Ishte nder të takohem nga afër me presidentin Zelensky. Shpresoj që në takimet e ardhshme ne mund të diskutojmë se si Kosova e Ukraina mund të punojnë së bashku për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe interesin tonë të përbashkët”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij. “Si pjesë e përkushtimit tonë për popullin ukrainas që nga fillimi i luftës ishte gatishmëria për të strehuar deri 5000 ukrainas të zhvendosur nga konflikti. Disa prej tyre janë këtu sot me ne, i uroj mirëseardhje të veçantë në këtë Ditë të Pavarësisë”.

Zelensky mori pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për nder të 20-vjetorit të Samitit të Selanikut, e ku u ftuan liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe ata të BE-së.

Kurti kishte publikuar një video duke u përshëndetur shkurtazi me Zelenskyn para darkës.

Zelensky në videon e postuar në platformën “X” kishte përmendur takimet me liderët në Athinë, por nuk përmendi askund Kosovën.

“Katër vizita. Suedi, Holandë, Danimarkë, Greqi. Samiti Ukrainë – Ballkan. Bisedime me liderët e Bullgarisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Komisionit Evropian. Ne kthehemi në shtëpi me një përkrahje të re politike dhe marrëveshje që e bëjnë Ukrainën më të fortë”, ka shkruar Zelensky.

Pushtimi rus i Ukrainës nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar. Kosova iu bashkua masave që ndërmori bota demokratike kundër Rusisë. /KOHA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here