Jemi në 10 ditëshin e fundit të muajit gusht, të cilat edhe me rritjen e temperaturave duket se po shfrytëzohen në maksimum nga qytetarët kosovarë, që nuk ngurrojnë t’i drejtohen bregdetit shqiptar. Radhë të gjata automjetesh janë krijuar ditëve të fundit por edhe mëngjesin e kësaj të hëne në segmentin Morin – Kukës.
Për shkak të situatës së krijuar policia rrugore vihet re gjatë gjithë kohës në këtë segment për të drejtuar dhe lehtësuar sa më shumë trafikun.Por, pavarësisht trafikut të rënduar qytetarët e Kosovës, por jo vetëm, nuk kanë hezituar për të kaluar fundjavat apo pushimet verore në Shqipëri.
Nga të dhënat e autoriteteve kufitare rezulton se fundjava që lamë pas ka shënuar fluksin më të lartë të sezonit veror me 117 mijë e 232 pushues nga Kosova dhe me 29 mijë e 662 automjete të vogla dhe autobusë që kanë hyrë në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar e Morinit. Ndërkohë që edhe mëngjesi së hënës ka shënuar fluks të lartë të hyrjeve në një shifër prej 30 mijë pushues nga Kosova dhe vendeve të tjera të rajonit.
Nga DVKM Kukës, janë marrë masa duke shtuar sportele dhe punonjës për të përballuar fluksin e shtuar dhe është bashkëpunuar edhe me Policinë e Kosovës. Deri tani nuk ka patur probleme. Për shtetasit e Shqipërisë dhe të Kosovës, është aplikuar proçedura e përshpejtuar sipas marrëveshjes dypalëshe për sezonin e pushimeve.
Që nga fillimi i sezonit turistik, pika kufitare e Morinit, është përballur me fluks në rritje të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës, që vit pas viti e frekuentojnë gjithnjë e më shumë bregdetin tonë.