Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident trafiku ka ndodhur dje në fshatin Zhur të Prizrenit, ku një kamion i cili po mblidhte mbeturina, ka goditur një fëmijë 5-vjeçar.
Sinjali mëson se i mituri është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Si rrjedhojë ai duhet të hospitalizohet për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor nën përkujdesjen e mjekëve.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.