Fadil Berjani, Shoqata e Naftëtarëve, i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që të tërheqë vendimin për caktimin e çmimeve tavan për naftë dhe benzinë. Ai deklaroi se çmimet e derivateve në Kosovë janë më të lirat pas Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtoi se rritja e çmimeve nuk është ekstreme.
Ai deklaroi për emisionin “SOT” në KTV të martën se rastin e kanë dërguar në gjykatë.
“Ne si Shoqatë e kemi ftuar Kuvendin, kemi debatuar, mendojmë se ky vendim është i dëmshëm e lëndën do ta procedojmë në gjykatë. Mund të themi se të gjithë naftëtarët kanë qenë për të proceduar në gjykatë…Jemi mbështetur për muri, na detyruan që lënda të shkojë në gjykatë dhe gjykata të thotë fjalën e vet. Ne s’po e rrisim çmimin ekstrem, jemi më të lirët në regjion pos Maqedonisë së Veriut që e ka akcizën për 22 cent”, deklaroi ai.
Sipas Berjanit, çmimi i derivateve aktuale në Kosovë është 1.36 euro i naftës, e 1.38 i benzinës, derisa shtoi se në Shqipëri është 1.85 euro, e në Serbi 1.75.
“Të gjitha shtetet e tjera janë me çmime më të larta, qytetarët kanë të drejtë të bëjnë ankesa, por çmimet janë reale në treg. Apeloj te Kurti të tërheqë vendimin. Nëse ndonjë kompani ka abuzuar me çmime, të ndiqet. Çmimi për standardin tonë do të ishte standard 1 euro, por kjo varet nga berza”, tha ai.
Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve u bëri thirrje qytetarëve që kur të furnizohen me derivate të marrin kuponin fiskal.
“Lus qytetarët kudo që të furnizohem, të marrin kuponin fiskal. Nëse kanë ndonjë problem me derivate mund të ankohen në ministri të transportit, derivatet janë në nivelin e duhur”.