Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në mbrëmje në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, që nënkupton se nga ky ligj do të mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.
Sipas Ministrisë së Financave, përmes këtij ligji po ashtu mundësohen lirime tatimore për banimin primar e tokën bujqësore.
MF-ja ka thënë se me këtë ligj do të ketë kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024, dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.
Rivlerësimi i pronave në fillim të vitit nga Ministria e Financave nxiti reagime të shumta në opinion. Në disa zona, veçanërisht në kryeqytet, tatimi në pronë u rrit për 100 për qind. Komunat e Ministria ia bartnin fajin njëra-tjetrës.