Lidhshmëria që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i bëri protestës së sotme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me luftën hibride nga Serbia, ka nxitur reagime të ashpra në opinion. Deklaratat e Sveçlës janë vlerësuar si skandaloze dhe të turpshme nga krerët e partive politike opozitare.
Pak orë para se të nisë protesta e veteranëve të UÇK-së, ministri Sveçla hodhi akuza të rënda drejt organizimit të saj. Sveçla ka thënë se meqë presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren me kryeministrin Albin Kurti, tani, sipas ministrit të Brendshëm, Vuçiqi është fokusuar në luftën hibride për nxitje të trazirave brenda Kosovës. Si nxitje të trazirës, e konsideroi protestën e sotme të veteranëve.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i konsideroi deklaratat e Sveçlës si provokim për të eskaluar protesta. Për këtë, Krasniqi u bëri thirrje veteranëve që të vetëpërmbahen.
“Qeveria kërkon përplasje. Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj”, ka shkruar ai në Facebook.
Qeveria, sipas kreu të opozitës, e ka humbur arsyen dhe tani kërkon shpëtimin në përplasje civile.
E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi shkarkimin e Sveçlës për shkak të “deklaratave ofenduese, nxitëse e të pamatura”.
“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i ish luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Reagim për deklaratat e Sveçlës pati edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK-ja e ka parë me shqetësim postimin e ministrit Sveçla, “në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve”.
Ndërkohë, ka dënuar gjuhën ndaj dy pronarëve të mediave të cilët i ka përmendur Sveçla.
“Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, thuhet tutje në reagim.
Reagim për deklaratat e Sveçlës ka pasur edhe nga deputetë të ndryshëm opozitarë.
Për protestën e mundshme nga veteranët po diskutohej që nga publikimi i disa incizimeve ku përfshihet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq. Mospërfshirja e veteranëve në Ligjin për pagën minimale të enjten “vulosi” ditën e protestës.
Protesta pritet të mbahet sot nga ora 18:00 në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.