Me 60 vota për e një abstenim është miratuar Ligji për pagën minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro. Në votim nuk është mbështetur asnjë amendament.
Është bërë gati një vit prej kur ky projektligj qe miratuar në parim. Qeveria nuk pati hartuar asnjë amendament. Shqyrtimi i këtij dokumenti u pezullua nën arsyetimin se po synohej konsensusi veçmas me veteranët e UÇK-së, që projektligji nuk ua garanton pensionin në masën e pagës minimale.
Por, amendamente patën dorëzuar në Kuvend dy parti opozitare, Partia Demokratike (PDK) tri dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dy. Në amendamentet e saj, PDK-ja kërkon që të fshihen nga projektligji nenet me të cilat përjashtohen nga përfitimi i pagës minimale kategoria e veteranëve të luftës, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe personave të verbër. Asnjëra nuk u mbështet të enjten.
Projektligji aktual përmban dispozitën, që ka nxitur kundërshti dhe e cila ka këtë përmbajtje: “Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për Financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual”.
E, në organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar protesta masive nëse nuk reflekton Qeveria.
Protesta pati pasur edhe në kohën e leximit të parë.
Nëpërmjet projektligjit të sponsorizuar nga Qeveria, paga minimale është propozuar të rritet nga 170 euro, sa është aktualisht, në 264 euro.
Me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për Fondin sovran të Republikës së Kosovës.
Janë miratuar edhe projektligji për procedurat përmbarimore dhe Ligji për çmimin e produkteve medicinale.