Dajaku i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën parlamentare të enjten ka bërë xhiro në mediat më të mëdha botërore. “Shpërthen dajaku në Kuvendin e Kosovës”, është titulli kryesor në raportimet e tyre.
“Shpërthen rrahja në Parlamentin e Kosovës, pasi u hodh ujë në drejtim të kryeministrit”, është titulli i mediumit prestigjioz “The Guardian”. Aty përshkruhet se në momentin e nisjes së dajakut, ishte kryeministri Albin Kurti që po fliste për masat e Qeverisë për shtensionim të situatës në veri.
Mediumi tjetër britanik “Skynews” e ka cilësuar “masive” dhunën në Kuvendin e Kosovës.
Agjencia e lajmeve AFP ka shkruar se Kuvendi i Kosovës “nuk është i panjohur për përballje të tilla”. Aty është kujtuar se kur Kurti ka qenë në opozitë, ka hedhur gaz lotsjellës në seanca, duke detyruar ligjvënësit të bartnin maska.
“Associated Press” ka shkruar se opozita është e nervozuar me vendimin e Kurtit për reduktim të forcave policore në veri, duke e cilësuar si “eksperiment” të tij në veri e prishje të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Për rastin kanë shkruar edhe mediume të tjera të njohura, si “Aljazeera” e “DailySabah”.
E enjtja shënon rastin e parë të përleshjes fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Rrahja ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti, kur atij iu afrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku. Ministri Hekuran Murati reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin, e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit. Situata përshkallëzoi kur te foltorja u grumbulluan pothuajse të gjithë deputetet e PDK-së dhe ata të pushtetit ndërkohë që ministrat zbritën nga vendet e tyre për tu përfshirë në përleshje. Të përfshirë në këtë përleshje nuk kanë qenë deputetët e tjerë të opozitës.
Derisa po ndodhte rrahja, kanë ndërhyrë edhe sigurimi i kryeministrit Albin Kurti duke tentuar t’i shpërndante të përfshirët në përleshjen fizike, derisa kryeministrin e ka larguar nga mesi i turmës.
Gjatë kësaj kohe është dëgjuar kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili po bënte thirrje për qetësi dhe prani të Policisë në Kuvend.