Edhe dega e LDK-së në Prizren, përmes një konference për media ka kritikuar qeverinë lokale rreth të gjeturave nga raporti i auditimit për komunën e Prizrenit gjatë vitit 2022, ndërkaq, për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2024-2026 ka thënë se është e keqplanifikuar.
Në konferencën e sotme për media, ka folur kryetari i degës së LDK-së, Driton Selmanaj. Ai në fillim ka folur për të gjeturat e raportit të auditorit për komunën e Prizrenit gjatë vitit 2022, të cilat sipas LDK-së tregojnë për shumë parregullsi dhe keqpërdorime nga qeveria lokale.
Ai tha më tej se, ky raport është bazë e mirë që organet e hetuesisë të merren me të gjeturat e shumta që sipas tij, paraqesin shkelje ligjore. Kryetari i LDK-së, Selmanaj, ka kritikuar pushtetin edhe për keqplanifikim të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2024-2026.
Ndryshe, ditë më parë edhe Qendra e LVV ka reaguar për të gjeturat e raportit të auditorit për komunën e Prizrenit gjatë vitit 2022.