Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren ka reaguar pas votimit të kornizës afatmesme buxhetore të hënë në kuvendin e Prizrenit.
Ajo përmes një reagimi ka thënë se LDK – Dega në Prizren refuzon të bëhet pjesë e diskriminimit, që pushteti i PDK-së, po u bënë qytetarëve të Prizrenit.
“Korniza afatmesme buxhetore që me vota të kontrabanduara u miratua sot në Kuvendin Komunal, është diskriminues, jo zhvillimor dhe në funksion të interesave klanore e partiake.
Kryetari Totaj dhe rrethi i tij, duhet të jenë të vetëdijshëm që Prizreni është një dhe si i tillë duhet të qeveriset, në çdo fshat në çdo lagje, dhe pa asnjë dallim e diskriminim. Taksat dhe paratë e qytetarëve kanë vetëm një pronar dhe ata janë vetë qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Orientimi i investimeve atje ku pushteti ka interes të votave dhe interesave tjera është i papranueshëm, i dëmshëm dhe diskriminues. Prandaj, anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së nuk u bënë pjesë e këtij skenari të dëmshëm për qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Gjithashtu, LDK – Dega në Prizren e dënon arrogancën e kryetarit të PDK-së Shaqir Totaj të përdorur ndaj kuvendarëve. Të gjithë duhet ta kuptojnë qartë, se kuvendarët janë përfaqësues të qytetarëve dhe nuk bien pre e asnjë shantazhi apo forma tjera të linqimeve. Kuvendarët janë zëri i qytetarëve me qëllim të adresimit të kërkesave dhe brengave të tyre.
LDK në Prizren, i garanton qytetarët se do të jemi zë i fuqishëm dhe do jemi gardian i mbrojtjes së interesave të tyre dhe qytetit tonë.
Prizreni meriton zhvillim dhe dinjitet”, thuhet në reagimin e LDK-së.