Organizata e Shteteve për Eksport të Naftës (OPEC) dhe vendet aleate, përfshirë Rusinë, kanë arritur marrëveshje të re për ulje të sasisë së naftës së prodhuar.
OPEC me Rusinë e formojnë grupin OPEC+ dhe e zotërojnë 40 për qind të naftës së parafinuar në nivel global.
Arabia Saudite, prodhuesja më e madhe e grupit, do ta zvogëlojë më së shumti sasinë e prodhimit, prej muajit korrik, deri më 2024, me qëllim të stabilizimit të tregjeve.
Njoftimi i befasishëm i OPEC+ edhe në prill për të zvogëluar sasitë e prodhimit, pati ndikuar në rritje të çmimeve të naftës, dhe një fuçi naftë është shitur për 87 dollarë në ditët në vijim.
Megjithatë, situata ka ndryshuar me kalimin e kohës, dhe më 5 qershor një fuçi naftë është shitur për 78 dollarë.
Në takimin e OPEC+, më 4 qershor, përveç vendimit për zvogëlim të sasisë së prodhimit për 3.66 milionë fuçi në ditë, grupi është pajtuar edhe për të ulur targetin e prodhimit për vitin 2024, duke e bërë edhe një zvogëlim të sasisë për 1.4 milion fuçi.
Në kombinim, diçka e tillë nënkupton zvogëlim të prodhimit për 40.46 milionë fuçi në ditë.
Shqetësimet për kërkesë të pakta globale
Të dhënat nga Kina, i kanë rritur shqetësimet se rimëkëmbja ekonomike, pas izolimeve të periudhës së koronavirusit, nuk është në hap me parashikimet.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, e ka përmendur si arsye edhe ndikimin në “dinamikën e tregjeve”, si referencë për çmimet tavan që i ka vendosur Perëndimi në naftën ruse.
Shqetësimet për një krizë të re bankare, në muajt e fundit, mund t’i kenë nxitur edhe investitorët që të shesin asete të rëndësishme, meqë çmimet e naftës në javët e fundit kanë arritur në 70 dollarë për një fuçi, në krahasim me pikun prej 139 dollarëve, në mars të vitit 2022.
Për çmimet e naftës ka pasur shqetësime edhe në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke negociuar rritjen e tavanit të borxhit, ndonëse tani partitë atje janë marrë vesh për ta shmangur krizën.
Mirëpo, një recesion global mund të ndikojë në ulje të çmimeve.
Spekulime ndëshkuese
Zvogëlimet e planifikuara do t’i ndëshkojnë sidomos tregtarët e vegjël, që bëjnë “baste” me çmimet e naftës.
Më 2020, ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, ka paralajmëruar kundër lojës së bixhozit me çmime të naftës, duke thënë se ata që bëjnë baste mund të “digjen në ferr”.
Ai e ka përsëritur këtë paralajmërim edhe në takimin e 4 qershorit, duke u thënë spekuluesve që të kenë kujdes.
Kjo thirrje është interpretuar si shenjë se OPEC+ mund të bëjë edhe shkurtime tjera.
Rritja e prodhimit të naftës në SHBA
Prodhimi i naftës së parafinuar në Shtetet e Bashkuara, pritet të rritet për 5.1 për qind, në 12.53 milionë fuçi në ditë, në vitin 2023, dhe për 1.3 për qind, apo në 12.69 milionë fuçi në ditë, më 2024, sipas parashikimeve të Qeverisë amerikane.
Këto shifra janë dukshëm më të larta sesa 10 milionë fuçi naftë në ditë, sa prodhon SHBA-ja prej vitit 2018.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka thënë se do ta ulë prodhimin nga 10 milionë fuçi në ditë deri në maj, në 9 milionë fuçi në ditë, prej korrikut.
Rusia, eksportuesja e tretë më e madhe e naftës në botë, synon prodhim prej 9.5 milionë fuçive naftë në ditë, deri në fund të vitit, ndërsa për vitin e ardhshëm e synon shifrën prej 9.3 milionë fuçi naftë në ditë.
Tensionet me Uashingtonin
Shkurtimet e mëtejmë nga grupi OPEC+ mund t’i rrisin tensionet mes fuqive të mëdha që janë duke tentuar ta luftojnë inflacionin.
Uashingtoni e ka konsideruar vendimin e OPEC+ si jo të menduar mirë.
Perëndimi e ka kritikuar vazhdimisht OPEC-un për manipulim me çmime dhe se po rreshtohet me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara janë duke e konsideruar mundësinë e miratimit të legjislacionit të njohur si NOPEC, i cili do të mundësonte konfiskimin e aseteve të OPEC-ut në territorin amerikan, nëse dëshmohet ndonjë marrëveshje e fshehtë në treg.
OPEC+ e ka kritikuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, e cila e ka SHBA-në donatore kryesore, se e ka rritur zërin për ulje të çmimeve të naftës në vitin e kaluar.
Agjencia ka thënë se diçka e tillë ka qenë e domosdoshme, duke i marrë parasysh shqetësimet që kanë ekzistuar për bllokim eventual të furnizimeve ruse, për shkak të sanksioneve të Perëndimit.
Parashikimet e kësaj agjencie nuk janë materializuar kurrë, duke nxitur disa burime brenda OPEC-ut të besojnë se qëndrimi ka qenë i nxituar politikisht, dhe ka qenë në të mirë të politikave të presidentit amerikan, Joe Biden.
Shtetet e Bashkuara patën thënë se ndoshta do të kenë nevojë për të blerë naftë më 2023, mirëpo më vonë e kanë tërhequr këtë deklaratë.
Vëzhguesit e OPEC kanë thënë se grupi ka nevojë për një rritje nominale të çmimeve të naftës, sepse paratë e printuara nga Perëndimi në vjetët e fundit, e kanë dobësuar vlerën e dollarit amerikan – valutës me të cilën tregtohet nafta./REL