Më 24 dhe 25 maj në Frashër të Përmetit në Shqipëri, nën organizimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” u organizua veprimtaria kulturore e shkencore “Dita Naimiane”, me temën “Ismail Kadare yll-karvani i lirisë”.
Ky ishte kremtimi i 21-të me radhë që këtë vit u mbajt në nderim të 177 vjetorit të lindjes së poetit, Naim Frashëri.
Në këtë organizim morën pjesë individë nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, nxënës e mësimdhënës të shkollave të ndryshme, personalitete e figura të rëndësishme politike e shoqërore, krijues të letrave shqipe, dhe shumë shkrimtarë e artistë.
Pjesë e këtij përvjetori nga Kosova ishin dhe nxënësit e Gjimnazit “Remzi Ademi” të qytetit të Prizrenit: Kiara Morina, Arnisa Dervishaj, Nol Hysenaj, Viona Bytyçi, Suela Krasniqi, Erëza Hoti, me mësimdhënësit Beqir Bekteshi dhe Azem Lajqi, në bashkëpunim më Kryesinë e Klubit Letrar “Fan Stilian Noli”.