Reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë natës në disa zona të Shqipërisë, kryesisht në ato malore.
Në Korçë të gjitha akset kombëtare qe lidhin këtë qytet me Qafë Thanën, Kapshticën dhe Kolonjën qarkullohen me zinxhirë.
Me zinxhirë rekomandohet lëvizja e mjeteve edhe drejt Dardhës dhe Voskopojës.
Trashësia varion nga 8 centimetra në zonat urbane deri në 20 centimetra në zonat malore. Reshjet janë shoqëruar me erë të fortë dhe temperaturë që shkojnë deri në minus 6 gradë Celsius.
Për pasojë kanë mbetur pa energji të gjithë fshatrat e njësisë Proptisht në Pogradec. Reshjet e dëborës kanë rinisur edhe në qafën e Llogarasë.
Deri tani nuk raportohen probleme në qarkullim, por autoritetet bëjnë apel për kujdes për shkak të ngricave. Problematike është situata edhe në qarkun e Dibrës dhe atë të Kukësit ku janë bllokuar disa fshatra të thellë./tvklan.al/