Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit ka lëshuar mbi 700 vërtetime gjatë vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2021 ishin lëshuar 512 vërtetime, kurse 227 në vitin 2020, kur ka nisur aplikimi i ligjit për sponsorizim.
Nëntë milionë e 118 mijë euro janë përfitimet e federatave dhe klubeve sportive nga Ligji për Sponsorizime sipas raportit zyrtar për vitin 2022.
Prej klubeve të Superligës në basketboll nga marrëveshjet e sponsorizimit goxha mirë ka fituar edhe Sigal Prishtina. KB Prishtina ka fituar 629 mijë euro, ndërsa pasojnë Golden Eagle Ylli me 518 mijë euro, Peja me 248 mijë euro, Rahoveci me 91 mijë euro, Vëllaznimi me 80 mijë euro, Bashkimi me 78 mijë euro dhe Ponte Prizreni me 66 mijë euro.
Në bazë të Ligjit për sponsorizim, sponsorizuesve u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim. Ligji vlerësohet shumë i favorshëm për sportin, por ka dyshime nëse mbikëqyrja është e duhura.