Në një deklaratë të fundit, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka rritur kritikat ndaj qeverisë në lidhje me marrjen në menaxhim nga qeveria qendrore të mjeteve vetanake të pashpenzuara të komunave. Gashi ka argumentuar se pushteti ka nevojë “për reflektim dhe se reflektimi nuk paraqet dobësi, por një mundësi.”
Në projektbuxhetin për vitin 2023, është parashikuar një ndryshim ligjor që e lejon qeverinë të marrë në menaxhim mjete vetanake të pashpenzuara të komunave nëse ato janë akumuluar para vitit të fundit fiskal. Kjo lëvizje ka shqetësuar subjektet opozitare, të cilat po kërkojnë që këto fonde të kthehen në dispozicion të komunave.
Subjektet opozitare tash e një kohë janë shprehur të shqetësuara me këtë veprim duke kërkuar që mjetet t’u kthehen komunave.
Ndër kritikët më të zëshëm të këtij veprimi të pushtetit është deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Së fundi, përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se një reflektim i pushtetit ndaj kësaj çështjeje do t’i mundësonte komunave të realizojnë projekte në interes të qytetarëve, duke e vënë në dukje se kjo është një e drejtë ligjore dhe kushtetuese.
“Reflektimi eventual i pushtetit do të rezultonte me zbatim të ligjit. Do të iu mundësonte komunave menaxhimin e të hyrave vetanake, si e drejtë ligjore dhe kushtetuese e tyre. Me këtë rast, do të vijonte edhe puna jonë e rregullt si opozitë.” – ka thënë Gashi.
Më tej Gashi ka thënë se komunat nuk duhet të privohen nga të drejtat e tyre për të zhvilluar projekte në mënyrë efektive.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të kthejë 37.5 milionë euro te komunat për të financuar projektet e tyre në dobi të qytetarëve.
“Ne duam që 37.5 milion euro t’u kthehen komunave për realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve. Duam që komunat të mos privohen nga e drejta për t’u zhvilluar. Po ashtu, duam që çdo marrëveshje ndërkombëtare në dobi të vendit të kalon. Krejt kjo varet nga vullneti i pushtetit. Është në dorën e tyre. Është përgjegjësia e tyre. Ne i duam të mirat e qytetarëve si tërësi dhe jo si të pjesshme.” – ka thënë tutje Gashi.