Kosova ka bërë hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
E me këtë rast deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të festojnë e të cakërrojnë gotat në mes vete.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social nga ana e shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Gashi, i shoqëruar nga deputetët Ariana Musliu-Shoshi, Besnik Tahiri e Enis Kervan, është shprehur i lumtur, ndërsa shihet duke cakërruar gotat për të festuar vendimin e sotëm nga Komiteti i Ministrave.
“Urime….. Bashkë festojmë!”, shkroi ai në Facebook. “Hapi i pare u kry, vazhdojmë me hapat e tjerë…”, kishte shkruar Gashi më herët në rrjetin e tij social në Facebook.
Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sot morri vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.