Lidhja Demokratike e Kosovës po akuzon aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje se kanë krijuar faqe online për të manipuluar vullnetin politik të mërgatës duke u tentuar që atyre t’u marrin edhe mjete financiare nga llogaritë bankare.
“Prej vitesh Vetëvendosje ka nisur manipulimin dhe helmimin e diasporës, nëpërmes propagandës majtiste, gjoja se Kosova është një vend i paperspektivë në të cilin nuk jetohet. Kjo propagandë po ndikon në përçarje kombëtare dhe po dekurajon bashkatdhetarët tanë për të kontribuar për familjet dhe shtetin e tyre. Siç duket kësaj partie nuk i kanë mjaftuar instrumentet e deritanishme, por ka kaluar edhe në hapin tjetër, zhvatjen financiare të diasporës sonë nëpërmjet faqeve elektronike jo ligjore”, thuhet në komunikatën e lëshuar për shtyp.
LDK po ashtu thotë se mërgimtarët s’duhet rënë pre e këtyre “manipulimeve, të cilat bien ndesh me ligjin dhe ushqejnë propagandën politike”.
“Lidhja Demokratike ju bën thirrje organeve të drejtësisë, që të bashkëpunojnë me homologët e tyre në Evropë, për të denoncuar, ndaluar dhe dënuar këta militantë politikë që po bëjnë keqpërdorimin e diasporës sonë. LDK kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe mediat, që t’i evidentojnë këto shkelje dhe t’i adresojnë tek organet kompetente”.
Në fund të komunikatës LDK i bën thirrje Vetëvendosjes që të sillet konform rregullave demokratike të organizimit të zgjedhjeve dhe të mos provojë ndryshimin e vullnetit të sovranit me mjete të paligjshme dhe praktika abuzive.