Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se parashikimi për vitin 2023 nuk është i mirë sa i përket rritjes ekonomike. Sipas tij, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3.7 për qind, pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2022.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se shpresa në këtë aspekt mbetet te stabilizimi i çmimeve në tregje ndërkombëtare.
“Kaloi gjysma e mandatit qeverisës dhe asnjë shenjë nuk e bëri në ekonomi qeveria e ‘punësimit dhe drejtësisë’. Viti 2022 u përshkua me mungesë të qeverisjes efektive, e cila do t’i mbronte qytetarët nga inflacioni dhe do të promovonte zhvillim ekonomik. Parashikimi për vitin 2023 po ashtu nuk është më i mirë. Në vitin 2023, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3.7 për qind, që është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2022. Shpresa këtu mbetet tek stabilizimi i çmimeve në tregje ndërkombëtare. Nuk shihet në horizont ndonjë politikë ekonomike që mund të krijojë ndonjë moment të ri për t’i dhënë shtytje zhvillimit dhe punësimit në vitin 2023 dhe 2024”, ka shkruar ai.
Sipas tij, vitin e kaluar bruto investimet kapitale kanë rënë për -6.9 për qind, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike.
“Rritja ekonomike më 2022 prej 3.5 për qind erdhi nga rritja e konsumit privat dhe eksporteve, e jo nga investimet publike apo private. Në fakt, më 2022 bruto investimet kapitale kanë rënë për -6.9 për qind dhe konsumi qeveritar ra për -0.8 për qind, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. ”, ka theksuar ai.
Ndër pikat që ka përmendur Hoti në shkrimin e tij është edhe inflacioni, për çka ka vlerësuar se situata nuk është menaxhuar si duhet nga Qeveria.
“Inflacioni, i cili arriti kulmin në 14.2 për qind në korrik 2022, erdhi si rezultat i rritjes të kostos së transportit, çmimit të energjisë dhe çmimit të ushqimeve. Situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara. Jo vetëm që nuk e suspendoi akcizën në naftë për një kohë, por Qeveria nuk e uli as TVSH-në Nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe importet janë rritur për 22 për qind, duke e thelluar deficitin tregtar për 1 miliardë euro.
Hoti ka thënë se investimet që ndodhën përgjatë vitit të kaluar, nuk kanë pasur efekt të madh në produktivitet dhe rritje ekonomike.
“Të ardhurat reale ranë dhe standardi i jetës u përkeqësua për shkak të inflacionit dhe mungesës së masave adekuate qeveritare. Në vend që të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave për të gjithë qytetarët përmes indeksimit të pagave e pensioneve në sektorin publik dhe pagës minimale në sektorin privat për normën e inflacionit, intervenimet e qeverisë u fokusuan në pako emergjente të natyrës sociale. Edhe pse këto intervenime ndihmuan grupe të caktuara të qytetarëve, ndihma ishte e njëhershme dhe nuk e zgjodhi problemin e rënies së të ardhurave reale gjatë vitit 2022 për familjet në përgjithësi”, ka shtuar ai.