Për tri ditë me radhë në seancë private është dëgjuar dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi në Hagë. Por, ky vendim i trupit gjykues po kritikohet nga njohës e monitorues të këtij procesi gjyqësor të cilët po konsiderojnë se këto veprime të Gjykatës Speciale flasin për mungesë të transparencës në këtë gjykim.
Nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së thonë se kjo gjykatë që vendimet i merr “në emër të popullit” nuk e lejon që populli të dëgjojë asnjë fjalë nga dëshmitë e dëshmitarëve. Sipas tyre, asnjë dëshmitarë nuk ka pse të ketë frikë dhe të fshihet.
Avokati Florim Shefqeti shprehet se duke marr parasysh masat e sigurisë për mbrojtjen e identitetit dhe personalitetit për dëshmitaren anonime nuk është dashur të privohet publiku kosovar nga dëgjimi i marrjes në pyetje të dëshmitares.
“Ne kemi parë fillimin e deklaratës së dëshmitarit të parë i cili ka qenë i fshehur identiteti dhe personaliteti i tij, respektivisht edhe pamja edhe zëri kanë qenë të mbrojtura. Prandaj, në kuptim të peshës dhe rëndësisë së parimit të publicitetit nën masat e siguruara që janë krijuar për fshehjen e identitetit dhe dukjes së tij ne vlerësojmë se nuk është dashur të privohet publiku i gjerë, edhe kosovar, edhe të tjerë, nga dëgjimi i deklaratave të dëshmitarit të parë dhe besojmë që kjo do të vazhdojë si praktikë në të gjithë gjykimin. Pra, do ta kemi një gjykim jopublik dhe që nuk ndikon çfarëdo vendimi të jetë që të krijohet perceptimi publik lidhur me procesin gjyqësor”, shtoi Shefqeti.
Shefqeti konsideron po ashtu se me këto vendime të trupit gjykues, procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po bëhet jotransparent.
Ai madje beson që këtë praktikë të mbylljes së seancave me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve Specialja do ta përdori deri në fund të gjykimit.
“Ne besojmë se si në çdo lloj gjykimi që nuk është publik ne kemi parë edhe në aspektin vendor raste kur është bërë mbyllja e seancave ka pas reagime për mungesë transparence, dhe prandaj edhe kjo patjetër ndikon në mungesën e transparencës dhe po flas personalisht nuk do të kemi mundësi të gjykojmë çfarëdo vendimi apo të japim mendim për atë vendim në mungesë të dëgjimit të dëshmitarëve dhe rrethanave që deklarohen… Mbi bazën e kësaj që ka filluar me dëshmitarin e parë me arsye se janë dhënë gjoja se në mbrojtjen e dëshmitarëve ne besojmë që deri në fund do të vazhdojë në këtë formë“ u shpreh ai.
Monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), Amer Alija shprehet se gjatë kësaj jave 99% seancat gjyqësore në rastin e ish-krerëve të UÇK-së kanë qenë të mbyllur për publikun me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit.
Sipas tij, trupi gjykues duhet të kujdeset që përveç deklaratave që mund ta zbulojnë identitetin e dëshmitarit, pjesa tjetër e dëshmisë të jetë e hapur për publikun.
“Sa i përket parimit të publicitetit apo transparencës së këtyre proceseve gjyqësore për arsye se këto raste kanë mjaftë vëmendje dhe kanë mjaftë interes për publikun kosovar gjykatat duhet të kujdeset që informatat apo deklaratat, pjesë të deklaratave të cilat nuk lidhen me identitetin e familjarëve apo të dëshmitarit të jenë të hapura për publikun për arsye se edhe publiku, mediat dhe monitoruesit kanë të drejtë që të kenë një opinion të vetë, një përshtypje se nëse në fund të shpalljes të aktgjykimit ka pas mjaftueshëm prova qoftë për një vendim lirues apo dënues… Mbyllja të themi e plotë e seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonim nuk është në rregull, jo krejt dëshmia e dëshmitarit duhet të jetë e mbyllur ne edhe në të kaluarën në proceset gjyqësore para misioneve ndërkombëtare kemi pas redaktime të seancave, kemi pas ndryshim të zërit e fotografisë, janë marr masa që të ruhet identiteti, por të themi shumica e dëshmisë ka qenë e hapur për publikun dhe monitoruese për arsye se jo çdo pyetje dhe jo çdo përgjigje ka të bëjë me identitetin.”, shprehet Alija.
Për dëgjimin e dëshmitarit të parë ne rastin e Thaçit dhe të tjerëve në seancë private për publikun, shprehen të shqetësuar edhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
Xhavit Jashari nga kjo shoqatë thotë se këto veprime të Speciales dëshmojnë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike dhe synon kriminalizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk di se si është e rregulluar me ligjet e Kosovës të thirret një gjykatë në emër të popullit dhe Republikës së Kosovës dhe dëshmitarët të mos jenë të hapur për publikun, kjo dëshmon edhe më shumë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike siç e kemi trajtuar dhe kemi thënë në vazhdimësi dhe siç i kemi arsyet tona pse nuk e njohim këtë gjykatë…. Gjithë këto që po ndodhin në këtë proces tash presim ta shohim sepse është vetëm fillimi argumenton fuqishëm që këto tendenca janë për të kriminalizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Shqetësuese është gjithsesi sepse nëse dikush është, siç po thotë prokuroria, dhe po merren si dëshmitarë është e mbyllur seanca kalon në privat dhe nuk njihet dëshmitari dhe nëse janë dëshmitarë që kanë qenë pjesëtarë të UÇK ata duhet të dalin hapur dhe nuk kanë pse të fshihen megjithatë këtu kemi të bëjmë me njerëz të shitur dhe janë edhe njerëz të blerë dhe shumë ka punuar kjo gjykatë me prokurorinë serbe”, shprehet Jashari.
Që nga 11 prilli në Dhomat e Specializuara të Hagës ka nisur prezantimi i provave të Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Ndërsa, më 3 prill në Hagë pas dy vitesh të procedurës paraprake, nisi gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën për krime të pretenduara lufte.
Qysh në nisjen e procesit gjyqësor, ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale në Hagë. Ndërsa, edhe mbrojtja e tyre mohoi të gjitha akuzat që rëndojnë mbi klientët e tyre./kp