Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar sot se ende ka lëshime teknike e shkencore në tekstet shkollore.
Në prezantimin zyrtar të fillimit të procesit të rishikimit të teksteve shkollore nga Instituti EdGuard dhe Ministrisë së Arsimit, Nagavci tha se rezultatet e testeve ndërkombëtare kanë qenë këmbana e fundit për përmirësim.
“Ka qenë një nga prioritet tona që të sigurohemi qe të kemi tekste shkollore cilësore për nxënësit tanë. Qe dy vjet kemi filluar tekstet e mësimit alternativ. Cilësia e teksteve është përcjellë me sfida të shumta. Ende ka vend për përmirësim, ka raportime nga prindërit e mësimdhënësit për lëshime te ndryshme, qofshin të atyre teknike, por edhe shkencore”, deklaroi Nagavci.
Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, është shprehur se në fazën e parë procesi i rishikimit do të bëhet për tekstet shkollore në Gjuhë shqipe dhe Matematikë, në klasën 1 deri në 9.