Përfundoi cikli i parë i projektit të ri të Teatrit “Bekim Fehmiu”, i titulluar Contempora. Tri drama të reja nga autorët vendor patën lexime skenike publike të cilat u mirëpritën nga publiku dhe komuniteti artistik.
Veprat “Crypto Kosova” nga Agush Mulliqi, “Pluhur Luminarie” nga Arijeta Ajeti dhe “Ping Pong & Dashuri” nga Butrint Pasha, nën regjinë e Xheraldina Krasniqit, Kaltrim Balajt dhe Kreshnike Osmanit me leximin/performimin e aktorëve të teatrit tonë u paraqiten para publikut dhe jurisë profesionale të këtij eventi.
Juria në përbërjen: Doruntina Basha – dramaturge, Alban Morina – aktor dhe Fatos Berisha – regjisor, pas evaluimit të tre leximeve skenike vendosi si vijon:
Juria vlerëson lartë punën e autorëve të dramave të reja. Të tri veprat dramatike kanë potencial për inskenim, andaj i propozon Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren inskenimin e veprave në të ardhmen, në këtë renditje:
1. Ping Pong & Dashuri;
2. Crypto Kosova;
3. Pluhur Luminarie.
Sipas projektit Contempora, Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren mëton zhvillimin e dramës së re shqipe, jo vetëm me lexime skenike, por edhe me vazhdimin e zhvillimit të dramave në bashkëpunim me konsulentë dramaturgjik deri te vurja në skenën e teatrit tonë.
Njëkohësisht, i falenderojmë të gjithë autorët, regjisorët, aktorët e aktoret, punëtorë e teatrit, kolegët dhe publikun për bashkëpunim dhe mbështetje.