Seketari i Federatës së Shahut në Kosovë, Burhan Misini, ka thënë se një qëllim i federatës mbetet hyrja e lëndës së shahut në kurikulat mësimore, në cilësinë e lëndës zgjedhore.
Se cilat do të ishin përfitimet e kësaj lënde dhe pengesat drejt realizimit të këtij qëllimi, emisioni “Shpirti i Vikendit” me Xheneta Asllani në Radio Dukagjini sjell një intervistë me Seketarin e Federatës së Shahut në Kosovë, Burhan Misini dhe trajnerin e shahistin, Mentor Bislimi.
Një pengesë drejt shahut në cilësinë e lëndës zgjedhore, Misini thotë se janë kushtet e paracaktuara të MASHTI-t dhe MKRS-së, kushte këto që Misini i cilëson si “të papranueshme”.
“Qëllimi kryesor i Federatës së Shahut të Kosovës edhe vitet e kaluara edhe në të ardhmen siç e ceku edhe Mentori, është hyrë lënda mësimore si landë zgjedhore, të hyjë nëpër shkolla. Ky është qëllimi. Kemi kontaktuar me MASHTI-n, MKRS-n por ku po ngecim ështëkushti që lënda të ligjërohet nga mësuesi i Edukatës Fizike, gjë që për neve është pak e papranueshme sepse një trajnim tre ditor i një arsimtarë për të dhënë këtë lëndë nuk më duket e rregullt ndërsa ministria sap o më duket nuk ka dëshirë të shtojë edhe staf me pagesë, kështu po mundohen që “all in one” (të gjitha në një)”, ka deklaruar ai.
Por sa shkolla të shahut ekzistojnë aktualisht në vend? Trajneri Bislimi thotë se është vetëm një.
“Momentalisht shkolla e vetme e shahut që ekziston në Kosovë është Shkolla e Shahut “Dardania” ku të rinjët mund të shkojnë dhe të fillojnë të mësojnë hapat e pare të mësimit mirëpo ka edhe mënyra të bollshme sot, përmes internetit, përmes librave që të fillojnë të mësojnë shahun. Loja e shahut ka përfitime siç thamë edhe në ngritjen e koncentrimit, mënyrën kritike të të menduarit, ndikon në zgjerimin e kapacitetit të memories në përgjithësi. Shahu është një lojë komplekse, përbëhet prej tri fazave mirëpo fillestarët duhet të orientohen jo në hargjimin e kohës mirëpo duhet të orientohn më shumë në dy fazat e tjera por principet e lojës së shahut duhet t’i zbastojnë. Principi domethënë varësisht prej kohës sa ata e kanë në dispozicion për mësimin gjatë ditës sepse loja e shahut është lojë ditore, ajo duhet të luhet çdo ditë që të perfeksionohet. Sa më shumë praktikë aq më mirë! Mirëpo principet nuk duhen mësuar në mënyrë të ngurtë por ato duhet të dihen si të zbatohen, ka përjashtime mirëpo duhet të dinë ku të zbatohen e ku jo”, ka thënë ai.
Se shahu është një lojë shumë e bukur e krahas kësaj, është edhe ushqim për trurin pajtohen që të dy. Por aftësitë në shah janë të lindura apo produkt i punës?
“Talenti në çdo sport është shumë i rëndësishëm mirëpo mendoj që puna e bënë të veten. Puna dhe mënyra se si duhet të mësohen metodat e punës sepse talenti është 3-5 përqind mirëpo jo çdo here nëse ti nuk e praktikon, nëse nuk e luan, nëse nuk i përkushtohesh një larmie të caktuar për avancim atëherë talenti do të jetë një kapital i vdekur”, ka thënë trajneri dhe shahisti, Mentor Bislimi.
Ky i fundit ka thënë se interesimi i të rinjëve është duke u rritur vazhdimishtdhe në të po kontribojnë emisionet vendore, siç është ai i ‘Shpirtit të vikendit”.
Se nga kur preferohet të fillohet të mësohet, trajneri Bislimi ka thënë se mosha e preferuar për të filluar hapat e parë në shah është mosha 4-vjeçare ndonëse sipas tij, nuk përjashtohen as rastet në histori kur kanë filluar më herët./Dukagjini