Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten ka zhvilluar aksion ndaj disa barnatoreve në Prizren, ndërsa në njërën prej tyre janë hasur barna të kontrabanduara të cilat ishin të fshehura pas rafteve.
Sipas njoftimit, në këtë operacion, të koordinuar me Doganën dhe Ministrinë e Shëndetësisë, janë kontrolluar 10 barnatore për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë kontrabanduar dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
“Në njërën nga barnatoret është gjetur një sasi e barnave pa banderola të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve të lokalit. Barnat pa banderola janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, kurse hetuesit policorë e kanë shoqëruar një person të dyshuar në Stacionin Policor në Prizren si pronar i disa barnatoreve të cilat janë kontrolluar”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa është liruar në procedurë të rregullt.
Prokuroria e Prizrenit ka iniciuar rastin si “prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “tregti e ndaluar”.