Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pranuar nga Kosova dhe pret që në ditët apo javët në vijim të dëshmohet kjo.
Sarrazin ka folur në një intervistë për “Kossevin”.
“Përshtypja ime është se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, një temë mjaft e vështirë për palën kosovare, është gëlltitur tashmë. Si Gjermania, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të qartë për faktin se presim që Kosova të përmbushë këtë dhe përshtypja ime është se kjo tani është pranuar edhe në Prishtinë. Mund ta kem gabim, por kjo është përshtypja ime nga takimet në Prishtinë – se ata kanë bërë një hap përpara. Dhe ne presim që ata të tregojnë atë në fushë në ditët apo javët në vijim”, ka thënë Sarrazin.
Sarrazin ka nisur javën e punës me një vizitë zyrtare në Kosovë, ku ndër të tjera është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai pritet ta vizitojë edhe Beogradin.
Sarrazin ka thënë se Marrëveshja bazë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi është mundësi e rëndësishme për gjithë Ballkanin Perëndimor që të integrohet në Bashkim Evropian.
“Shumë njerëz në rajon do të thonë se jam idiot pasi besoj në lëvizje pozitive, por si pjesë e Procesit të Berlinit, ne kemi treguar se është e mundur të arrihen marrëveshjet pozitive nëse mendoni pozitivisht dhe mendoj se dakordimi në Ohër mund të jetë një pikë kthese për ta kthyer situatën në rajon nga minusi në plus”, ka thënë Sarrazin.
Ai ka pranuar se Gjermania ka tentuar të ndihmojë të arrihet marrëveshje, por edhe ka “ushtruar presion të fortë mbi të dyja palët”.
“Ne po përpiqeshim t’u thoshim atyre – ‘dëgjoni, ky është shansi i juaj, mos e humbni këtë shans, mund të mos merrni shumë mundësi të reja’”, ka deklaruar Sarrazin.
Por, ai ka thënë, se shumë nuk i besojnë atij “vullneti politik që u shfaq në Ohër”.
“Prandaj, është vendimtare të dëshmohet tash vullneti politik, përmes zbatimit”, ka shtuar Sarrazin.
Ndonëse ka refuzuar të flasë hollësisht për termin “vetëmenaxhim për serbët” që është përfshirë në nenin 7 të marrëveshjes, ai ka thënë se është e qartë se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin duhet të përmbushen.
“Neni 7 përshkruan se si duhet të bëhet. Megjithatë, nuk duhet të komentoj qartë se cila është saktësisht shkalla e pushtetit, pasi është jashtë kompetencës sime. Është e rëndësishme që ne të gjejmë një mënyrë për të arritur në procesin e gjetjes së qëllimit të duhur”, ka thënë Sarrazin.
Por, ai ka thënë se beson që Kosova e ka pranuar ta përmbushë këtë obligim dhe po pret që kjo edhe të dëshmohet. Ai ka deklaruar se Beogradi dhe Prishtina kanë vizione të ndryshme për Asociacionin, por ka shprehur besimin se është e mundur të arrihet një marrëveshje “me të cilën dyja palët duhet të pajtohen”.
I pyetur për kërkesat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës që duan të drejta të njëjta si serbët në Kosovë pas zbatimit të marrëveshjes, Sarrazin ka thënë se kjo nuk është pjesë e dialogut.
Emisari gjerman ka komentuar edhe faktin se Lista Serbe po bojkoton zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës.
“Në Gjermani, ne kemi një thënie në politikë kur dikush largohet – ‘ai që del nga dhoma duhet të mendojë se si do të mund të hyjë sërish’”, ka thënë Sarrazin.
Ai ka shprehur besimin se Lista Serbe nuk ka tash për tash një taktikë se si të “rikthehet”.