Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq tha se në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Beogradi mund të zbatojë vetëm atë që ka marrë si obligim.
Duke folur për marrëveshjen franko-gjermane, Daçiq tha për Blicin serb se nga ato vija të kuqe “nuk ka devijime”, sepse sipas tij “kjo është politika shtetërore e Serbisë”.
I pyetur nëse këtë herë presionet e Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha të Amerikës, do të luajnë rol vendimtar në formimin përfundimtar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai tha se “është një fakt shumë pozitiv se është thënë qartë se ky është një angazhim i rinovuar Prishtinës, që ta bëjë menjëherë”.
Prandaj, siç thotë kryediplomati serb “nuk ka asnjë dilemë dhe do të shihet nëse Kosova dëshiron ta bëjë këtë apo jo”.
“Ne e dimë se ata do të bëjnë gjithçka për të penguar formimin e Asociacionit dhe kjo hedh një re të madhe dyshimi mbi qëllimet e tyre të mira”, theksoi Daçiq.