Federata e Futbollit e Kosovës do të duhej të ishte e vetmja federatë që organizon gara të futbollit në territorin e Kosovës. Por, nuk është kështu.
Në Kosovë, madje thellë në territorin e saj, gara organizon edhe Federata e Futbollit e Serbisë me organizatat e saj që në Kosovë funksionojnë në mënyrë ilegale. Garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës kanë sfiduar vazhdimisht federatat kosovare dhe autoritetet e vendit. Ndonëse ka pasur përpjekje për integrimin e komunitetit serb në federatat sportive të Kosovës dhe për të ndalur aktivitetet ilegale të federatave sportive të Serbisë, pak është bërë në këtë drejtim.
Jo vetëm që aktivitetet ilegale nuk janë ndalur, por po zhvillohen edhe të ashtuquajtura liga.
Fundjavën e kaluar janë luajtur ndeshjet e para të të ashtuquajturës “Liga e Qarkut e Anamoravës së Kosovës”. Ndeshjet janë luajtur në Ropotovë dhe në Ranillug.
Në fakt e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Anamoravës së Kosovës” ka funksionuar edhe më herët, si pjesë e së ashtuquajturës “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë”, që është pjesë e Federatës së Futbollit të Serbisë. Logoja e kësaj “federate” është me motive nacionaliste serbe, ndërsa tani është vendosur të fillojë liga e këtij regjioni për vitin 2023. Natyrisht, niveli është plotësisht amator, por funksionimi i kësaj “lige” konteston seriozisht autoritetin e FFK-së në territorin e shtetit të Kosovës.
Ekipe nga Koretishta, Parteshi, Kufca e Epërme, Vitia, Krivareka, Kllokoti, Ranillugu, Pasjani, Ropotova dhe Kamenica po garojnë në këtë të ashtuquajtur ligë. Dhjetë ekipe gjithsej.
Ranko Gjorgjeviq, udhëheqës i së ashtuquajturës ligë, ka theksuar se ndeshjet do të luhen në disa terrene dhe se kanë gjyqtarë të mjaftueshëm që janë shkolluar nga Federata e Futbollit e Serbisë.
Në territorin e Kosovës zhvillohen tri “liga” të organizuara nga e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë”. Në veri të Kosovës janë katër ekipe në ligë, por disa ekipe janë në nivele më të larta të futbollit të Serbisë. Madje njëri klub mban ilegalisht emrin e madh “Trepça” dhe bazohet në historinë e pasur të klubit që aktualisht garon në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. Është edhe një ligë ilegale në pjesën qendrore të Kosovës që përbëhet nga pesë ekipe. Ekipet më të mira promovohen në garat e nivelit më të lartë të Serbisë.
Shpesh nga FFK-ja federatat e tjera dhe MKRS-ja janë dënuar me këto aktivitete dhe janë vlerësuar të papranueshme. Është bërë përpjekje edhe me asociacionet ndërkombëtare që të stopohen ato, por pak është arritur. Më herët ka pasur klube të komunitetit serb në sistemin sportiv të Kosovës. Klubi i basketbollit Bambi ishte më i njohuri. Por, disa prej atyre klubeve më nuk funksionojnë e të tjera kanë vazhduar në garat ilegale të Serbisë.
Kështu që, FFK-ja dhe federatat e tjera sportive të Kosovës do të vazhdojnë të kontestohen sa i takon të drejtës për të organizuar garat në territorin e Kosovës.