Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës që shefi i qeverisë kosovare po i zhvillon në Tiranë. Ishte presidenti shqiptar, Begaj që dha detaje nga takimi, që sipas tij, ishte rreth zhvillimeve të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
“Vlerësova lart maturinë dhe kurajon e treguar nga kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë. Theksova se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”, ka thënë.
Presidenti i Shqipërisë thotë se ka shprehur gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht.
“Ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht”, ka deklaruar begaj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti./RTKlive/