Partia Socialdemokrate do të mbajë të shtunën [sot] protestë kundër marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Ohër më 18 mars. Në këtë protestë do të kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Protesta është planifikuar të nisë në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku edhe do të mbahen fjalimet.
PSD-ja, që është parti joparlamentare, vlerëson se kryeministri Kurti s’ka legjitimitet, prandaj duhet të dorëhiqet.
Natyra Kuçi nga kjo parti dje në KTV ka thënë se protesta është mbështetur nga OVL-UÇK, Nisma e Fatmir Limajt dhe shumë nisma të tjera qytetare, që sipas saj, duan dorëheqjen e Kurtit.
Kuçi ka theksuar se kjo protestë po organizohet pasi thonë se Kurti e ka pranuar krijimin e Asociacionit me dakordimin në Ohër dhe ka ndryshuar qasjen që e kishte për 15 vjet në opozitë.