Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh sot se për subvencionim të faturave të qytetarëve, nga muaji shkurt 2022 deri në janar të këtij viti janë ndarë mbi 89 milionë euro. Ajo shtoi se gjatë muajve të dimrit niveli i kursimit ka shkuar prej 4 deri në 15%.
Ajo këto komente i bëri gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, e cila foli për punën e saj në vitin 2022 dhe planet për vitin 2033.
Ndonëse, vitin 2022 e konsideroi sfidues për shkak të krizës energjetike, megjithatë theksoi se janë arritur suksese.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se gjatë vitit 2022 janë siguruar financim mbi 400 milionë euro për sektorin e energjisë.
“Sa i përket subvencionimit ministria e Ekonomisë ka disbursuar për gjatë periudhës për faturat shkurt në kuadër të zotimit për dhënien e 90 milionë eurosh për të subvencionuar faturat e qytetarëve dhe bizneseve, ME ka disbursuar për faturat e periudhës shkurt 2022 deri në faturat e janarit të 2023, 89 milionë e 914, 937.89 cent si rezultat i kësaj kemi arritur që konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë nën 800 KWh në muaj të mos preken fare nga rritja e çmimit të energjisë vitit të kaluar si dhe të mos preken bizneset që janë në tregun e rregulluar e që janë të gjitha përveç 3 kompanive. Ndërkohë, nga ana tjetër kemi punuar të ketë nxitje dhe vetëdijësim të qytetarëve për të kursyer energjinë elektrike…kemi pas veçanërisht gjatë muajve të dimrit prej 4 deri në 15% ka shkuar niveli i kursimit gjatë muajve të dimrit gjë që do të thotë që secili kursim gjatë muajve të dimrit kursehet në uljen e nevojës për importe”, tha ajo.
Në kuadër të masave emergjente, Rizvanolli theksoi se janë konfiskuar 600 pajisje të kriptovalutave, ndërsa janë kursyer 1 milion euro shpenzime të energjisë elektrike në veri të vendit.
“Gjatë kësaj periudhës së masave emergjente është ndaluar përdorimi i energjisë elektrike për mihje të kriptovalutave aktivitet që zhvillohet në ekonominë e hirtë dhe mënoj se kjo ka pasur efekte në të gjithë vendin duke përfshirë edhe në komunat në veri të Kosovës, ku janë konfiskuar mbi 600 pajisje në 8 ferma të kriptovalutave, të cilat janë shkatërruar në komunat veriore….Gjë që do t’i kursejnë dhe i kanë kursyer Kosovës mbi 1 milion euro për çdo vit në kursimet e energjisë dhe së bashku me luftën ndaj fermave të drogës dhe aktiviteteve tjera ilegale për herë të parë në veri të vendit kemi ulje të konsumit të energjisë derisa në vitet e kaluara kemi pas rritje deri në 14%”, u shpreh ministrja e Ekonomisë.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi më tepër informacioni për projektin e subvencionimit për pajisjet termike.
“Një informacion të ndarë nga kjo që kemi parë rreth subvencionimit që është bërë për pajisje termike numrin tyre përfituesit dhe deri ku është shkuar shkalla e implementimit sidomos në fazën e dytë i keni pas dy faza të implementimit dhe keni pas një ndryshim të termave të referencës. Për neve është me interes që ta dimë projektin si ka shkuar t’i shohim rezultatet dhe përfituesit”, tha Shala.
E Rizvanolli u shpreh se nga ky projekt kanë përfituar 9 mijë e 484 familje. Ajo tha se tashmë kanë nis inspektimet në familje për zbatimin e projektit për subvencionimin për pajisje termike.
“Kanë përfituar 9 mijë e 484 familje ndërsa janë shpenzuar rreth 4.94 milionë euro nga 6 milionë euro të ndara“, tha ajo.
Jeta Statovci nga Lëvizja Vetëvendosje pyeti se a është paraparë vazhdimi tutje i masës së subvencionimit për kursim të energjisë elektrike.
“A do të vazhdohet tutje me këtë masë apo si i keni planet karshi këtij subvencioni të kursimit, i cili përveç se zhvillon një shprehi të mirë ka ndikuar dukshëm edhe në barrën e kostos në raport me shfrytëzimin e energjisë elektrike për shumë familje”, tha Statovci.
Më pas, ministrja Rizvanolli, duke mos dhënë ndonjë afat për vazhdimin e kësaj mase, u shpreh se kjo masë është duke vazhduar tutje.
“Sa i përket masës për kursim të energjisë kjo është duke vazhduar dhe edhe në kuadër të përkrahjes së BE programit prej 75 milionë euro që gjatë vitit të kaluar është dizajnuar dhe miratuar në Qeveri, 15 milionë euro janë ndarë për këtë masë, ndërsa të tjerat janë ndarë për efiçiencë të energjisë në familje dhe biznese dhe ndërtesa publike me fokus të veçantë tash në banesa sociale”, tha ajo.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj u shpreh se nga ky plan për vitin 2023 nuk është parë ndonjë mbështetje për ndërmarrjet publike e sidomos ato të ujësjellësit.
Ai konsideroi se plani i ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023 vë në pah mos-seriozitetin për këtë sektor.
“Më tepër keni përmendur sa i përket përftimeve në trajnime, jo investime kapitale që janë shkuar drejtpërdrejtë tek interesi i qytetarëve të Kosovës, kjo qasje duhet të ndryshohet, sa e pash edhe në planin për vitin 2023 keni përmendur projekte afatgjate 2,3,5,7 vite..Unë prita që në vitin 2023 ta keni në vëmendje qytetarin e Kosovës, që të vini me masa lehtësuese në planin e juaj shembull largimi i TVSH për produkte bazike po ashtu të largoni akcizës në derivate të naftës, të ktheni çmimet e energjisë në të vjetra jo të mendohet në shtim të çmimit të energjisë në 14% dhe këto masa kam pritur që do t’i bëni për vitin 2023 që shkojnë në favor të qytetarëve”, u shpreh ai.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi seriozitetin e saj për punën në sektorin e energjisë.
“Iu siguroj që seriozitet më të madh kurrë në institucionet nuk ka pas, jemi duke punuar edhe në projekte afatgjate që përmendët pasi në energji sidomos dhe çfarë do sektori kur bëhen reforma duhet mendohet në afatgjate….veç gjatë këtij viti janë siguruar mbi 400 milionë investime në energjisë, prej të cilave 340 milionë në investime kapitale, një nivel të tillë të investimeve në Kosovës nuk e kemi parë në krejt pasluftën ndoshta”, tha ajo.
Ministrja, Rizvanolli gjatë raportimit para Komisionit për Ekonomi u shpreh se pritet që këtë vit të hapet ankand për projektin energjisë solare me kapacitet prej 100 mgw.
Në këtë mbledhje të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti u votia edhe raporti me rekomandime lidhur me Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe iu përcoll Kuvendit për miratim në lexim të dytë.
Po ashtu, për miratim drejt Kuvendit u dërgua edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjinë.