Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.
Sipas njoftimit në takim përveç tjerash u diskutua edhe për procesin e dialogut dhe për propozimin evropian që krahas Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetjen edhe të Italisë.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ai e ka falënderuar zëvendëskryeministrin Tajani për mbështetjen e Italisë, bashkëpunimin e afërt ndër vite dhe kontributin e vazhdueshëm për demokratizim dhe zhvillim të Ballkanit Perëndimor.
“Diskutuan për mënyrat e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Gjithashtu folën për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj, përkatësisht Italian dhe për përfitimet që mund të sjellë për të dy vendet forumi ekonomik italian në Kosovë, e i cili pritet të organizohet gjatë këtij viti”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se përveç bashkëpunimit në rrafshin ekonomik, biseduan edhe për format e bashkëpunimit bilateral në fusha tjera si ajo e sigurisë dhe mbrojtjes./koha.net/