Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se seanca e Kuvendit e ftuar të hënën nga opozita, nuk ka karakter të përplasjes, por të informimit me atë se çka po ndodh në dialogun me Serbinë.
Ai tha në Kuvend se dialogu me epilog, me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, është fjalia e parë që përmbledh interesin tonë.
“Do të kishte qenë e udhës që Qeveria të na kishte ftuar neve në Kuvend që ta njoftonte për dialogun. Do të ishte e udhës që në rast nevoje të na kërkonte ndihmë…Por ja që u deshtë që në si opozitë ta ftojmë këtë debat. Kjo seancë e ftuar nuk ka karakter të përplasjes por ka karakter të informimit me atë se çfarë po ndodhë në dialog. Ne si PDK qëndrimet i kemi të njohura dhe konsistente. Ne vlerësojmë angazhimin e koordinuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Krasniqi.
Krasniqi kërkoi nga Kurti që të tregojë se cili është qëllimi i propozimit franko-gjerman për dialogun dhe çfarë mundësish ka ky plan.
“A është ky propozim vazhdimësi e dialogut të tashmen apo është nisje e re? Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja? A e parasheh propozimi evropian njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë? A keni garanci nga akterët ndërkombëtarë se Kosova do të njihet nga pesë shtetet anëtare të BE-së, nëse arrihet marrëveshja”, u shpreh Krasniqi.