Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar për mbledhjen e kësaj partie, që kishte temë diskutimi zhvillimet politike dhe përmbajtja e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndër të tjera, Haradinaj u shpreh se “Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e një strategjie e cila do e vendoste Kosovën në pozitë të favorshme në raport me Serbinë. Mos koordinimi me aleatët tanë, veçmas me Amerikën, ka rrezikuar interesin nacional të vendit dhe gjitha të arriturat e deritanishme të shtetit”.
Njoftimi i plotë i Haradinajt:
Në mbledhjen e sotme të kryesise së AAK-së, diskutuam për zhvillimet politike në vend.
Gjithashtu, kolegët i informova për përmbajtjen e vizitës sime në ShBA, përfshirë takimet në Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres, e po ashtu edhe me përfaqësues të institucioneve tjera amerikane.
Ishte dakordim i përbashkët që zhvillimet politike në vend janë në momentet më vendimtare për shtetin tonë. Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e një strategjie e cila do e vendoste Kosovën në pozitë të favorshme në raport me Serbinë. Mos koordinimi me aleatët tanë, veçmas me Amerikën, ka rrezikuar interesin nacional të vendit dhe gjitha të arriturat e deritanishme të shtetit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insiston në marrëveshjen përfundimtare për njohje të ndërsjellë me Serbinë.