Gjykata e Apelit në Hagë ka ulur për tre muaj dënimin me burgimin të ish-krerëve të OVL UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Paneli i Apelit ka ulur dënimin nga 4 vjet e gjysmë sa ishin dënuar secili, në 4 vjet e tre muaj. Paneli ka konfirmuar shumicën e pikave të aktgjykimit të shkallës së parë. Është ulur dënimi vetëm për tre muaj. Ka mbetur në fuqi gjoba prej 100 eurove për secilin.
Gjykatësja e Panelit ka thënë se do të mbeten të dy në paraburgim në Hagë deri në transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin.
Në dënim do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.
Më 18 maj, Gjykata themelore në Hagë Gucatin e Haradinajn i kishte dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale. Gucati e Haradinaj u dënuan për publikimin e dokumenteve të Speciales. Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.
Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.
Trupi gjykues i dënoi të dy edhe me nga 100 euro gjobë.
Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.