Franca është shprehur tejet e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe ka dënuar sulmet ndaj misionit të EULEX-it si dhe të gjitha aktet tjera të dhunës të shfaqura në terren, disa ditë pasi në veri u rikthyen barrikadat e vendosura nga serbët. Në një reagim në uefbaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës të hënën, Franca “ka kërkuar nga palët të tregojnë përmbajtjen më të madhe dhe të demonstrojnë përgjegjësi në mënyrë që të ulen tensionet”.
“Franca përkrah plotësisht ndërmjetësimin evropian, që duhet ta bëjë të mundshëm përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe të ecet përpara në drejtim të perspektivës evropiane për të dyja shtetet. U kërkon të dyja palëve të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve ka thënë se do ta diskutojë çështjen e veriut me shtetet tjera evropiane në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian.
Qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë, në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së. Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan.
Një ish-polic serb i Kosovës është arrestuar për këto sulme. Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania kanë reaguar pas bllokimit të rrugëve duke kërkuar nga Serbia t’i heqë barrikadat.
Ndërkaq Serbia ka kërcënuar me kthim të ushtrisë në Kosovë.