Kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka folur për marrëveshjen e mbrëmshme në Bruksel për çështjen e targave. Kurti ka thënë se ajo që ndodhi mbrëmë nuk është marrëveshje, por dakordim dhe ndryshim i deklaratës së Përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell nga ajo që tha të hënën.
“Të hënën në mbrëmje më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët që i ka pas 95 fjalë, dhe fjalët Francë e Gjermani s’kanë qenë askund, dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman apo propozim të BE-së, përveç çështjes së targave. Thuhet që do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman. Kjo që është dakorduar mbrëmë ka 194 fjalë, janë krejtësisht të ndryshme”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se ata që thonë që ajo që nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin.
“Nuk është marrëveshje por dakordim, është deklaratë e Borrellit. Ajo që është bërë mbrëmë është ndryshim i deklaratës së Borrellit, ne s’kemi ndryshuar qëndrim por Borrelli ka ndryshuar deklaratën dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat, ne u morëm vesh që t’i ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke”, tha Kurti.
Ai shtoi se qëllimi i tyre ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim të bëhet çështje e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi që shtetit tonë që është normal e demokratik t’i bashkëngjitet edhe një raport normal e evropian me Serbinë, shkruan Telegrafi.
“Ishte e qartë nga vetë deklarata e zv.presidentit Borrell që një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë ditën e hënë në tekstin që më është ofruar mua. Mendoj që është një arritje e madhe sepse për të herë të parë procesi i dialogut hynë në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme”, tha Kurti.
I pari i Qeverisë shtoi se data 18 gusht është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut.
“Më 18 gusht Borrell ka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me pikën e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe kjo është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut. Ne nuk mund ta evitojmë pikën e dytë, që është çështjet aktuale edhe pse nganjëherë duken teknike. Pajtohem që çështja e targave është çështje teknike e administrative, por në anën tjetër duhet të paranojë që në shtator të vitit të kaluar ne kemi filluar mos ta trajtojmë si çështje teknike në momentin kur ambasadori rus në Beograd erdhi në Jarinje e Bërnjak që të inspektoj grumbullimin e trupave serbe e lart e ngritën një avion MIG 29”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se targat janë teknike, por pasojat janë më shumë se politike. Tutje Kurti shtoi se dialogu për marrëveshje finale duhet të fillojë brenda disa ditëve.
“Ai duhet të filloj brenda disa ditëve, është shumë mirë që gjithçka është përshpejtuar. E di që kam pas kërkesa nga Lajçak për shtyje të vendimit për targa për 12 muaj, nga Escobar për 10 muaj por kjo po bëhet më shpejt, qëndrimi jonë doli i drejt. Qendra për regjistrim të automjeteve në Rashkë nuk lëshon më ‘KM’. Është mirë për shtetin e Kosovës dhe marrëdhëniet e ndërsjella me fqinjin tonë verior”, tha Kurti. /Telegrafi/