Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të përballen sot me njëri-tjetrin në Bruskel.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar takimin e nivelit të lartë mes Kurtit e Vuçiqit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kurti e Vuçiq do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
Borrell do të presë Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 08:00 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter u shpreh se ka ardhur koha që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Reklama
“Ne kemi nevojë për deeksalimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell.
Takimet e sotme mbahen një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e ngasësve të automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se nga 22 nëntori do të nisin shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për shoferët në veri që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.
Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar të gjithë vendimin e Qeverisë për targat. /Telegrafi/