Në Serbi thonë se nuk është arritur kurrfarë marrëveshje për tabelat apo kthimin e serbëve në institucione.
“Asnjë marrëveshje nuk është arritur për tabelat apo kthimin e serbëve në institucione, pasi mediat në Prishtinë po mundohen ta përhapin atë propagandë dhe disa media të Beogradit e kanë raportuar atë”, thuhet në reagimin e sotëm të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Ky reagim vjen pasi dje, nëntë deputetë të Listës Serbe u ribetuan në Kuvendin e Kosovës e në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pas dorëheqjes demonstrative të ditëve më parë të kolegëve të tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Këtë “kthesë” Lista Serbe dje fillimisht e justifikoi duke u lëshuar në një konspiracion, se gjoja Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, planifikonte të ndërronte Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në detyrimet të serbëve të Kosovës.
Deputetët e riplotësuar të Listës Serbe, pasi iu nënshtruan formaliteteteve të Republikës së Kosovës, lëshuan sallën.
Në anën tjetër, kur kanë mbetur vetëm edhe tri ditë në nisjen e shqiptimit të masës së gjobave për ata që nuk i kanë ndërruar targat ilegale serbe, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi dje se kanë dërguar sot një shkresë Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për atë se çfarë mund të bëhet pa kontestuar ligjshmërinë e vendimit për targat.
Bislimi tha se në momentin që ka dakordim do ta bëjnë publike.
“Ne jemi ende në kontakt me Lajçakun, sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike”, ka thënë Bislimi në Tëvë1.
Sipas vendimit të Qeverisë, personat që ngasin vetura serbe me targa ilegale, pas 21 nëntorit do t’ju shqiptohet gjoba prej 150 eurosh.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendimin për targa për të paktën 10 muaj, në mënyrë që tensionet të shmangen dhe të mos vijë deri te ndonjë përshkallëzim i situatës.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se duhet shtyrje e plotë e afatit për targat, derisa ka shtuar se janë të brengosur për 21 nëntorin, datë kjo kur fillojnë së zbatuari masat ndëshkuese për ata që s’i konvertojnë targat në RKS.
“Ne jemi të shqetësuar rreth afatit kohor dhe procesit të zbatimit të vendimit qeveritar për targat. Ne besojmë që duhet shtyrje të plotë, ne nuk po kërkojmë zbatim me faza ose shtyrje të pjesërishme dhe në veçanti jemi të brengosur rreth mundësisë së gjobave ose masave tjera ndëshkuese kur të jenë efektive nga 21 nëntori dhe këto brenga tona ua kemi bërë të qarta Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Hovenier.
“Absurde dhe të rrezikshme” e ka quajtur këmbënguljen e Kurtit, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai të shtunën e 12 nëntorit kërkoi që urgjentisht të krijohet vullneti politik për dalje nga situata që është krijuar pas zhvillimeve në veri.
Në anën tjetër “rezistencë të ashpër” kanë paralajmëruar Lista Serbe pas shqiptimit të gjobës së parë për shkak të përdorimit të targave ilegale. /Reporteri.net