Janë bërë më shumë se dhjetë ditë kur një pjesë e zyrtarëve serbë janë larguar nga institucionet e Kosovës.
Dorëheqjet ndodhën në Qeveri, Kuvend, Polici, Gjykata dhe në Prokurori e Dogana.
Kjo ndodhi në shenjë pakënaqësie dhe revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
Për të kundërshtuar këtë vendim, një ditë pas dorëheqjeve, serbët e Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut.
Ata kërkuan heqjen e vendimit për targat dhe krijimin e Asociacionit.
Lidhur me këtë, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës.
Për veprimet e Kurtit karshi situatës në veri ka reaguar ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Anton Quni.
Quni ka thënë për Front Online se detyra e kryeministrit është të jetë i koordinuar me aleatët e Kosovës.
Ai tha se Kosova nuk duhet të lejoj të bie në kurthin e Serbisë.
“Sa i përket çështjeve me interes nacional, kryeministri duhet të jetë i koordinuar plotësisht me miqtë e përhershëm të Kosovës. Veprimet e duhura janë ato që na garantojnë edhe ligjshmërinë edhe raportin e mirë me miqtë e vendit tonë, këtë duhet ta bëj. Ne, në ditë të mira e të vështira duhet të jemi bashkë me aleatët tanë, sepse Kosova gjithmonë ka triumfuar kur ka qenë bashkë me ta. Në këtë kohë të zhvillimeve botërore, Serbia dhe aleati i saj Rusia kanë një qëllim: rënien në kurth të Kosovës. Nuk duhet ta lejojmë assesi destabilizimin e vendit”, tha Quni për Front Online.
Deputeti i LDK-së ka folur për Front Online edhe për takimin mes opozitës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Ku temë kryesore e takimit ishte situata në vëri të vendit.
Quni tha se ani pse është opozitë LDK-ja gjithmonë është me miqtë e shtetit kur është fjala për interesin shtetëror.
“LDK tashmë e ka dëshmuar se edhe përkundër faktit që është në opozitë, kur bëhet fjalë për interesin nacional dhe shtetin, është me shtetin dhe miqtë e shtetit gjithashtu”, u shpreh Quni për Front Online.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike të hënën dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, shkruan Front Online.