Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për deklaratën ku ai kërkon nga sektori privat që të rris pagat për punëtorët.
“Është edhe një temë shumë e rëndësishme që lidhet me buxhetin e vitit 2023. Në analizën e parë të AAK-së shohim se ky është një buxhet totalisht pa vizion dhe i pareflektueshëm në gjendjen që është Kosova. Janë disa argumente. Argumenti i parë është deklarata skandaloze e ministrit të Financave, ai thotë sektorit privat dilni dhe rritni rrogat e punëtorëve të juaj se iu ka rrit fitimi, derisa në këtë buxhet në këtë sesion nuk e ka sjellë ligjin e pagave që e ka në dorë. Ministri Hekuran Murati e ka në dorë rritjen e pagave për sektorin publik dhe buxhetin për këtë punë, as nuk e ka sjellë në linjë buxhetore për këtë ligj, as ligjin, e mbi të gjitha koeficientin”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, është e palogjikshme nga një ministër të kërkojë një gjë të tillë nga sektori privat, kur ai e ka në dorë rritjen e pagave për sektorin publik e nuk e ka sjellë në Kuvend Ligjin për paga e as nuk ka ndarë mjete në buxhet për zbatimin e tij.
“Kjo është një qasje e pazot dhe e një qeverisje të padenjët. Në dy rrethana i kemi, e ka situatën në veri dhe buxhetin e tillë, e ministri i Financave kërkon sektorit privat t’i rrit rrogat. Ky është një buxhet që i ka dëmtuar organizatat buxhetore, e në veçanti komunat”, ka thënë Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar një interpelancë nga kryeministri edhe për dialogun, por që ende nuk kanë arritur që të dakordohen për datën, pasi nuk kanë një përgjigje nga kryeministri Kurti se kur mund të jetë në interpelancë.
“Mendojmë që tani duhet qasje serioze e disiplinuar dhe gjithëpërfshirëse. Synimi i interpelancës është që t’i jep një zgjidhje situatës në vend. Jemi duke pritur një përgjigje nga kryeministri”, ka thënë Tahiri.