Policia e Kosovës të martën njoftoi se është djegur edhe një veturë në Zveçan, e cila kishte targat RKS.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga policia, ku thuhet se vetura ishte pronë e një gruaje nga komuniteti serb.
“Policia e Kosovës, me datën 08.11.2022, ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture me targa RKS, pronë e viktimës femër kosovare e komunitetit serb, me banim në komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet, përderisa thuhet se lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme operativo-hetimore.
“Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale”, thuhet tutje në njoftim.
Prej që ku ka nisur procesi i konvertimit të targave, 56 automjete janë djegur. Kjo shifër u bë e ditur dje në një konferencë për media të mbajtur nga Sveçla. Ndërsa me rastin e djeshëm, ky numër ka shkuar në 57.
“Që nga vitit 2011 prej kur ka nis procesi i konvertimit të targave nga ilegale në legale, janë djegur 56 automjete të qytetarëve serb, madje vetëm nga muaji qershor, Serbia në krye me Vuçiqin ka vazhduar të përdor metoda të kërcënimit, shantazhit dhe sulmit prej të cilave kanë pësuar qytetarët tanë në veri të vendit ku kemi pas 5 vetura të djegura, disa prej të cilave të zyrtareve, sulm ndaj personit zyrtar, një dëmtim prone e një djegie e stallës”, ka thënë ministri Sveçla, transmeton IndeksOnline.
Sipas ministrit, të gjitha këto veprime janë bërë për shkak se këta qytetarë kanë kthyer targat nga ilegale në legale RKS, pra të gjitha këto sulme që kanë cenuar sigurinë e qytetareve tanë janë të organizuara nga grupe ekstremistesh me qëllim të frikësimit të masës por edhe të kërcënimit për të tjerët që të mos i regjistrojnë veturat në RKS.