Grupi punues i Këshillit të Bashkimit Evropian për vizat është mbledhur sot në Bruksel në një takim dyditor, ku në agjendë është edhe diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Pas konfirmimit të presidencës çeke se kanë përfshirë kërkesën e Francës në dokumentin ndërinstitucional për liberalizmin e vizave, janë krijuar mëdyshje për rezultate pozitive për Kosovën.
Njohësit e proceseve euro-integruese thonë se insistimi i Francës që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizim të vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS), ka sjellë skepticizëm për dhënien e dritës së gjelbër për heqjen e regjimit të vizave.
Profesori universitar, Dritëro Arifi, thotë se në mbledhjen e nesërme të këshillit janë dy opsione. Ai thotë se opsioni i parë është që të merret vendimi për liberalizim të vizave, por hyrja në fuqi e tij do të bëhet në dhjetor të vitit 2023, pas zyrtarizmit të sistemit ETIAS.
Ndërsa, opsioni i dytë, sipas tij është që të liberalizohen vizat për Kosovën brenda procedurave të parapara, por të punojë me shpejtësi për të instaluar sistemin ETIAS në kohën e hyrjes së tij në fuqi në gjithë Bashkimin Evropian.
“A do të kushtëzohet Kosova me sistemin ETIAS kjo mbetet të shihet nesër. Në fund të ditës është vendim politik i BE-së. Unë mendoj se janë dy opsione në tavolinë që ata mund t’i marrin varësisht nga vullneti politik. E para është që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave vitin e ardhshëm, vendimi të merret në dhjetor të vitit 2023, deri atëherë Kosovës i kërkohet që së bashku me vendet e tjera të BE-së të instalojë sistemin, pasi as në BE nuk është instaluar në të gjitha vendet. Opsioni i dytë është që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, por me kusht që të punojë me një shpejtësi që të instalojë këtë sistem ETIAS”, thotë ai.
Mirëpo më skeptik për liberalizimin e vizave është analisti, Gazmir Raci, i cili thotë për KosovaPress se ky proces është ndërlidhur edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
“Unë jam skeptik që brenda këtij viti do të kemi lajme pozitive për liberalizimin e vizave, për faktin se konsideroj se ajo çështje është e lidhur me dialogun dhe rezultatet e këtij procesi. Këto janë vetëm kritere teknike sa për të kamufluar opinionin publik, gjoja se disa shtete janë skeptike për liberalizimin e vizave. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret edhe më shumë që shtetet në të kaluarën kanë bërë një gjë të tillë. Andaj konsideroj se kjo çështje është kryekëput e ndërlidhur me dialogun dhe çdo e arritur që mund të ndodh në një periudhë afatshkurtër kohore mund të ketë implikime edhe tek çështjet e vizave”, thekson Raci.
Kjo është mbledhja e dytë e grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian që po diskuton për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi herën e parë kanë diskutuar më 12 dhe 13 tetor të këtij viti.
Pasi të marrë dritën e gjelbër në këtë instancë, procedura për liberalizimin do të kalojë tek ambasadorët e vendeve anëtare që të lejojnë nisjen e diskutimeve mes Parlamentit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian. Por kjo procedurë mund të mbyllet shpejtë pasi PE dhe KE tashmë me kohë kanë shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave.
Më pas, vendimi duhet të kalojë në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian e më pas të kalojë edhe në seancën plenare. Kur të marrë miratimin e PE-së, duhet të miratohet edhe nga vendet anëtare.
Fjalën e fundit e kanë ministrat e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së, ndërsa akti i fundit është publikimi në gazetën zyrtare dhe hyrja në fuqi e vendimit.
Kujtojmë se Presidencën e Bashkimit Evropian deri në fund të vitit e mban Republika e Çekisë, e cila është zotuar se do të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.