Policia e Kosovës njoftoi se edhe gjatë së dielës ka pasur dorëheqje të punonjësve policorë të komunitetit serb në veri të vendit.
Përmes një komunikate Policia tha se disa prej tyre i kanë dorëzuar pajisjet, për të vazhduar me kompletim të procedurave të tjera. Ajo bëri të ditur se ka kapacitete për menaxhimin e situatës së krijuar.
“Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, të gjitha veprimet do t’i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar”, thuhet në njoftimin policor.
Ndryshe, të dielën në veriun e Kosovës u mbajtën protesta të organizuara nga Lista Serbe, një ditë pas vendimit për t’u tërhequr nga institucionet e vendit.
Përfaqësuesit politikë të serbëve në veriun e Kosovës akuzuan qeverinë e Kosovës për moszbatim të marrëveshjeve të Brukselit.
Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, dhanë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me këshilltarët komunalë nga radhët e Listës Serbe./Telegrafi/