Mandl: Liberalizimi nuk guxon të përdoret si levë për Kosovën në dialog
Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE–Kosovë ka mbajtur të premten sesionin e dytë të punës. Në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u theksua nevoja për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi dhe liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.
Në fjalën e tij në këtë sesion, eurodeputeti austriak në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl, përsëriti sërish kërkesën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se kriteret për liberalizim të vizave janë plotësuar. “Kriteret janë plotësuar nga Republika e Kosovës. Parlamenti Evropian disa herë ka votuar me shumicë votash pro liberalizimit të vizave, dhe supozoj se edhe në Këshill, sigurisht që shumica ka një pikëpamje të qartë për gjërat, dhe është pro liberalizimit të vizave, por ne ende i kemi këto parime unanimiteti në Këshill, që po bllokon Evropën. Po ashtu, liberalizimi i vizave për Kosovën për shkak të një numri të vogël të shteteve anëtare, dhe qartë shpresojmë që të mos përdoret si levë për Kosovën në dialog. Dhe dua të theksoj nga ky kuvend parlamentar i përbashkët, te vendimmarrësit apo në pushtetin ekzekutiv, se nuk guxon të përdoret si levë, sepse është e padrejtë, dhe liberalizimi i vizave tashmë është i vonuar”, ka theksuar Mandl.
Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, tha se për pushtetin, marrëveshja përfundimtare është ajo që nuk e ndanë njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB.
“Për ne marrëveshje përfundimtare është ajo çka nuk e ndanë njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB. Pra një marrëveshje që e ka vetëm njohjen nga OKB ose vetëm nga Serbia mund të jetë një marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare. Andaj njohja nga Serbia, ulësja në OKB, njohja nga pesë vendet e BE-së dhe anëtarësimi në NATO paraqesin përkushtimin tonë strategjik ndaj Bashkimit Evropian dhe botës së lirë dhe zgjedhje të dilemës së sigurisë për Kosovën”, theksoi ai.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, u shpreh kritike karshi Qeverisë së Kosovës për mungesë të transparencës në dialog.
“Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës ende nuk e dinë se cila është korniza e dialogut dhe cili është qëndrimi i kryeministrit Kurti karshi këtij procesi. Nisur nga fakti se shteti i Kosovës gjendet para një momentumi të rëndësishëm ku mund të arrihet një marrëveshje finale, ne si LDK kemi dhënë qëndrimin në përkrahje të procesit të dialogut. Megjithatë kjo mbështetje bazohet vetëm në garancitë që ky proces të mbështetet në këto parime kryesore. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit dhe nuk duhet të cenohet karakteri unitar dhe rendi kushtetues i shtetit. Nga ana tjetër vlerësimi i LDK-së është se Qeveria e Kosovës po bënë gabim të madh që në emër të ligjshmërisë ka vendosur të përkeqësojë marrëdhëniet me aleatët tanë më të ngushtë”, ka thënë ajo.
Kurse, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se fokusi i dialogut duhet të jetë marrëveshja finale.
“Fokusi i Bashkimit Evropian, Parlamentit Evropian duhet të jetë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Njëherë e përgjithmonë ky konflikt dhe dialog të përfundon. Dialogu i cili prodhon fotografi të bukura, nënshkrime pa vlerë, pa efekte në teren nuk i kontribuon qëllimit të dialogut”, ka theksuar Tahiri.
Takimi i nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë ka filluar të enjten, derisa do t’i mbyll punimet sot. / ksp