Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet i dështuar gjatë vitit 2020. Megjithëse ishte proklamuar se mund të jetë vit i marrëveshjes finale, një gjë e tillë nuk u arrit, ani pse u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet dy vendeve në Uashington. Disa prej partive politike thonë se Kosova e humbi rastin historik për ta arritur njohjen reciproke gjatë vitit të kaluar, ndërsa LDK si parti në pushtet vlerëson se dialogu ka marrë shtytje të madhe në vitin 2020. E nga shoqëria civile edhe të ardhmen e dialogut e shohin si të paqartë, pas zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen në fillim të vitit 2021.
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se dialogu që zhvilloi Qeveria Hoti nuk i solli asnjë të mirë vendit.Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Fitore Pacolli thotë për KosovaPress se dialogu sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia ka dështuar. Ajo shprehet pesimiste edhe për implementimin e marrëveshjes së Uashingtonit.
“Dialogu ka dështuar kohë më parë, shumica e marrëveshjeve që janë bërë në fazën e parë kanë dështuar. Nuk janë implementuar shumica nga ana e Serbisë, disa prej anës së Kosovës janë implementuar. Pra nuk ka ndryshuar asgjë në teren, ne konsiderojmë se dialogu sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia ka dështuar, ky dialog nuk e çon Kosovën drejt njohjes dhe anëtarësimit në BE. Ky dialog e ka fundosur Kosovën edhe më tutje prandaj duhet të ndalet sa më shpejtë të jetë e mundur sepse na duhet një klasë tjetër politike, një qeveri me legjitimet i cili e çon tutje vendin.[…]
Me këtë marrëveshje e cila është nënshkruar në Uashington nuk presim ndonjë gjë, presim një rifillim të ri me presidentin amerikan”, thotë Pacolli.Më kritikë për dialogun shprehen në PDK, ku anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu thotë se vendi e ka humbur rastin historik për marrëveshje finale gjatë vitit 2020.“Si PDK konsiderojmë se e kemi humbur rastin historik për marrëveshje finale në vitin 2020.
Është marrëveshja që është proklamuar shumë dhe për të cilën është diskutuar në të gjitha nivelet. Prandaj po e themi edhe tash që konsiderojmë që jemi të vonuar në këtë drejtim, duhet që 2021 të jetë vit kur ne japim fund kësaj maratone të gjatë të diskutimeve të dialogut e cila i ka marrë shumë kohë edhe energji Kosovës dhe duhet njëherë e përgjithmonë për të siguruar marrëveshjen finale të detyrueshme për të dyja palët dhe njohjen e ndërsjellë që është edhe kushti ynë kryesor, pastaj edhe ulëse në OKB”, thotë ajo.
Por në LDK, parti e cila është në pushtet, thonë se procesi i dialogut ka pasur shtytje të madhe vitin e kaluar, ani pse nuk është arritur marrëveshja finale.Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh i deputeti i legjislaturës së fundit në Kuvend, Faton Bislimi, thotë se vet marrëveshja e Uashingtonit është historike.
“Ka pasur shtytje të mëdha procesi i dialogut, sidomos vitin e fundit. Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje historike, nuk them që nuk po implementohen në asnjë moment.
Ju e dini që menjëherë ka pasur të paktën dy delegacione të larta shtetërore të përfaqësuara nga shumë agjenci federale të ShBA që kanë qenë në Kosovë dhe Serbi. Ato po bëjnë përgatitjet e duhura për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik. Kosova del përfituese nga marrëveshja e Uashingtonit, përkundër çfarëdo kritike që mund t’i bëhet tekstit të marrëveshjes. Konkluzionet e marrëveshjes dhe fakti që ne kemi arritur të ulemi në Shtëpinë e Bardhë me Serbinë ka qenë historike për Kosovën në aspektin e përfitimeve që ka marrë Kosova nga kjo marrëveshje”, thotë ai.Deputetja që udhëheq me Komisionin për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, nga AAK thotë se me marrëveshjen e Uashingtonit përfitoi Kosova.
“Së paku ajo çka është arritur në Uashington janë ato marrëveshje ekonomike, të cilat nëse implementohen Kosova përfiton. Por nuk kemi ndonjë marrëveshje që është arritur në Bashkimin Evropian”, thotë ajo.Ndërsa nga shoqëria civile të vetmen gjë pozitive në vitin 2020 sa i përket dialogut e shohin rikthimin e palëve në tavolinën e diskutimit.Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se në kuadër të dialogut ky vit ishte i diskutimeve, e jo i një rezultati të prekshëm.“Përpos rikthimit të dy palëve në tavolinën e diskutimeve nuk pamë diçka më markante dhe më të madhe nga ky dialog.
U hapën shumë tema, u diskutua për shumë fusha, përfshirë edhe tema teknike të marrëveshjeve të kryera që më herët. Ky vit ishte më shumë vit i diskutimeve, por pa një rezultat të prekshëm. Marrëveshja e Uashingtonit gjithashtu u proklamua si e tillë, por përfundimet nga ajo marrëveshje ishin thuajse minimale, krahasuar me pritjet e palës së Kosovës. Po rikonfirmohet se fundi i dialogut është i paqartë, e ardhmja e tij është e paqartë”, thotë ai.
Dialogu Kosovë-Serbi, pas një pauze rreth 2-vjeçare, rinisi në korrik të këtij viti, pas largimit të masave të reciprocitetit dhe taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe. Gjatë vitit të kaluar pati dy takime fizike mes kryeministrit Hoti e presidentit serb Vuçiq në Bruksel, një në Uashington dhe një takim virtual në samitin e Parisit. Ndërsa 6 takime u zhvilluan në nivel të ekspertëve.Përveç marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën u tha se është më shumë ekonomike por që nuk munguan as çështjet politike, nuk u arrit njohja reciproke. Ndërsa ka rreth katër muaj që Hoti e Vuçiq nuk janë takuar pas dallimeve për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.