Disa ditë pas fillimit, diskutimet rreth fushatës së vaksinimit në Gjermani vazhdojnë. Shkencëtarët po shqyrtojnë mundësinë që, si në Britaninë e Madhe, doza e dytë e nevojshme e vaksinimit të jepet më vonë, në mënyrë që të vaksinohen sa më shumë njerëz që të jetë e mundur me rezervat e pakta.
“Meqenëse intervali midis dy vaksinimeve me shumë gjasa mund të ndryshojë brenda kufijve të gjerë dhe mbrojtja është shumë e mirë edhe pas një vaksinimi, vlen të mendohet që në rastin e sasisë së pakët të dozave të vaksinave, doza e dytë të jepet më vonë,” thotë Thomas Mertens, kryetari i Komitetit të përhershëm të vaksinimit në Institutin Robert Koch.
Sidoqoftë, kjo përbën një sfidë të re për planifikimin e vaksinimit të dytë, i cili në fund të fundit duhet të kryhet.Virologu i Bonit, Hendrik Streeck kishte bërë një deklaratë të ngjashme në tv RTL. Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e të vaksinuarve janë të mbrojtur nga sëmundja e rëndë pas vaksinimit të parë. Sidoqoftë, së pari duhet të ketë një diskutim në lidhje me një qasje të tillë. “Nuk është një vendim i lehtë, por do të ishte një mënyrë për të vaksinuar më shumë njerëz shpejt.”
Dymbëdhjetë javë në vend të tre javëveTë mërkurën, Britania e Madhe dha një leje emergjente për vaksinën e kompanisë farmaceutike britanike-suedeze AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, vaksina e dytë pas asaj të Biontech/Pfizer. Në të njëjtën kohë, komisioni rekomandoi që sa më shumë njerëzve që të jetë e mundur t’u jepet vetëm doza e parë e vaksinës për të dyja vaksinat. Doza e dytë duhet të injektohet brenda dymbëdhjetë javësh në vend të dy deri në katër javë, siç qe planifikuar fillimisht.
Shumë ekspertë të Britanisë së Madhe e mirëpritën vendimin si një qasje të arsyeshme për përballimin e mungesës së vaksinës. Sidoqoftë, ata theksuan edhe se efektiviteti është më i vogël pas dozës së parë dhe duhet të vërehet nëse strategjia funksionon vërtet.
Peter Kremsner, Drejtor i Institutit për Mjekësi Tropikale në Universitetin Eberhard Karls në Tybingen, mendon se qasja britanike thelbësisht është shumë e arsyeshme. “Nëse efekti i vaksinimit të parë nuk zvogëlohet shpejt me kalimin e kohës, vaksinimi i dytë mund të ndodhë gjithashtu më vonë, për shembull pas gjashtë muajsh. Këtë ne nuk e dimë ende. Kështu është vepruar edhe me vaksinat e tjera.”Schäuble kundër privilegjeve për të vaksinuaritNdërkohë, Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble është shprehur kundër trajtimit preferencial për njerëzit që janë vaksinuar kundër koronavirusit. “Trajtimi preferencial për njerëzit e vaksinuar mbart rrezikun e ndarjes së shoqërisë,” i tha politikani i CDU gazetës “Neue Osnabrücker Zeitung”.Schäuble tha se nuk duhet të futet”asnjë pykë” midis atyre që janë vaksinuar tashmë dhe atyre që nuk janë vaksinuar. Ritmi i zhvillimit të vaksinave është “absolutisht mbresëlënës”. Kështu që ka shpresë që prodhimi të bëhet edhe më shpejt sesa pritej. Anëtarët e qeverisë federale si Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn dhe Ministri i Brendshëm Horst Seehofer kishin bërë tashmë deklarata të ngjashme.Aktualisht është e paqartë në çfarë mase mbron një vaksinim kundër Coronas me vaksinën e vetme të lejuar deri tani në Gjermani të Biontech-ut nga infektimi i njerëzve të tjerë, kur vetë je bërë imun ndaj virusit./DW