Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq nga New York ka folur edhe për çështjen e lobimit të Republikës së Kosovës për të marrë njohje të reja. Shefi i shtetit serb ka thënë se e ka vënë re që Kosova ka “shënjestruar” tri shtete aziatike dhe tri shtete afrikane për t’ua marrë njohjet.
Ai deklaron se Prishtina po punon në të gjitha mënyrat e mundshme, por edhe se Beogradi po bën punën e vet.
“Nuk ka dyshim se Perëndimi po e ndihmon Prishtinën që të marrë njohje të reja dhe po krijojnë studime për vendet që mund të ndikojnë në hyrjen e Kosovës në BE”, deklaroi Vuçiq, raporton KoSSev.
Sipas tij, Serbia po përballet me një periudhë shumë të vështirë.
“Kam parë tre shtete aziatike dhe tre afrikane që i kanë shënjestruar, ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, por mos harroni nuk është çështje e Prishtinës. Është një çështje e luftës sonë kundër asaj që do të bëjnë të gjitha fuqitë e mëdha perëndimore. Ky është roli ynë në një kohë kur, siç mund ta shihni, ata po kërkojnë të përjashtojnë një Rusi”, ka thënë Vuçiq.