Sot bëhen 22 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit, Agim Ramadanit, i cili gjatë luftës është dëshmuar si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët. Agim Ramadani është lindur në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963.
Ai shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë. Ramadani me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm.
Përderisa, poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, ndërsa, si piktor ka organizuar ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku ka punuar si ushtarak e në Zvicër, ku ka jetuar si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai ka braktisur ish-Armatën Jugosllave, ku ka punuar si oficer.
Në vitin 1998, ai është pranuar anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve. Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 i është përgjigjur thirrjes së atdheut dhe është inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër bashkëshorten dhe tre fëmijë.
Gjatë luftës, Agim Ramadani ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që ka shkulur gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ka rënë heroikisht duke mos vdekur kurrë. Agim Ramadani njihet me emrin konspirativ-Katana.
Ai llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agim Ramadani ka lënë pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.