LAJME

Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burgim

Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burgim
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Shtator 2026, 09:40

Haga ka shpallur fajtor ish-kreun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqin.

Gjykata ka dënuar Jakup Krasniqin më 25 vjet burgim.

Ish-kryeparlamentari Krasniqi u përballë me paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërkaq më 2022 ishte dorëzuar aktakuza e ndryshuar.

Në këtë proces gjyqësor, dëshmuan 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria, dy dëshmitarë të mbrojtësit të viktimave dhe shtatë të mbrojtjes. Po ashtu, janë pranuar edhe 132 dëshmi të dëshmitarëve të Prokurorisë me shkrim dhe 7 të mbrojtjes së viktimave. Prokuroria përfundoi me paraqitjen e provave zyrtarisht më 15 prill 2025.

Sa i përket dëshmitarëve të mbrojtjes, dëshmitari i parë i Thaçit i cili dëshmoi më 15 shtator 2025 ishte James Rubin, ish-zëvendëssekretar Amerikan i Shtetit. Pra, ishte krahu i djathë i ish-sekretares, Medeleine Albright. Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Ëilliams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Ëesley Clark, John Steëart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Ndërkaq, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Ëesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Më 17 nëntor e filloi dëshminë Ëesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025. Ndërsa, mbrojta e Krasniqit ka hequr dorë nga dëshmitari i vetëm që kishte për të dhënë dëshmi në sallën e gjyqit, ndërsa ka dorëzuar me shkrim dëshmitë e disa të tjerëve.

Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar që të ndryshojë listën e saj të provave në mënyrë që ta shtojë Bislim Zyrapin në listën e saj të dëshmitarëve. Kjo nuk iu lejua, por iu lejua pranimi i pesë deklaratave të tij të mëhershme, me qëllim të krahasimit të dëshmive për shkaqe të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së tij.

Mbrojtja ka përfunduar zyrtarisht paraqitjen e provave më 2 dhjetor 2025. Ndërsa, mbyllja e paraqitjes së të gjitha provave në këtë rast, është bërë më 18 dhjetor 2025. Më pas, ishin dorëzuar dosjet përfundimtare.

Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly Ëest, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laës.

Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

Ndërsa, më 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaçi tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.

Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.

Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika