Hartë të balancuar elektorale mes subjekteve kryesore në vend kanë prodhuar zgjedhjet lokale të së dielës në garën për kuvende komunale.
21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, derisa 17 prej tyre janë bërë me kryetar të dielën, pas numërimit të votave.
Mbështetur në rezultatet preliminare, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna – në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Novobërdë, Leposaviq, Shtërpcë, Ranillug dhe Partesh.
Partia Demokratike ka dalë subjekti shqiptar me më së shumti komuna të fituara në raundin e parë. Ka fituar në Ferizaj, Mitrovicë të Jugut, Skenderaj dhe Hani i Elezit.
Ndërkaq Lidhja Demokratike dhe Aleanca kanë fituar nga dy komuna pa balotazh.
LDK-ja në Pejë e Lipjan, kurse AAK-ja në Deçan e Suharekë.
Partia që udhëheq Qeverinë nuk arriti ta ruante frymën e fitores nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit edhe në nivel lokal. Lëvizja Vetëvendosje nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë, por do të jetë pjesë e balotazhit në 12 komuna.
Sa i përket votës për kuvende komunale, rezultate të përafërta kanë Vetëvendosja, LDK-ja e PDK-ja.
Prin VV-ja me 22.4 për qind, e pasuar nga LDK-ja, që ka 22.51 për qind dhe PDK-ja me 22.05 për qind. AAK-ja ka arritur 11.9 për qind të votave në kuvende komunale.
Pushtet të balancuar do të ketë edhe në komunat e mëdha, përfshirë Prishtinën. Në kryeqytet VV-ja ka marrë rreth 23 mijë vota, LDK-ja afër 18 mijë e PDK-ja 12 mijë. Situatë e ngjashme është edhe në Prizren me VV-në, që ka fituar 28.59 për qind, kurse PDK-ja 25.83 për qind.
Numri i qytetarëve që kanë votuar në zgjedhjet e së dielës është rreth 43 për qind ose 770.107 votues.
Por krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, dalja ishte më e vogël. Në ato zgjedhje kishin votuar mbi 822 mijë votues.
Me përjashtim të disa incidenteve ku u nevojit edhe ndërhyrja e policisë, përgjithësisht dita e zgjedhjeve kaloi e qetë.
